GJIROKASTËR- Policia e Gjirokastrës ka mundur të sekuestrojë 220 kg kanabis në një aksion të zhvilluar në orët e para të ditës së sotme, ndërsa ka shpallur në kërkim transportuesin e lëndës narkotike. 

“Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër rreth orës 01.30 të mëngjesit të sotëm kanë marrë informacion në rrugë operative se një sasi lënde narkotike do transportohej nga Lazarati në drejtim të Fierit e më pas për destinacion përfundimtar Italinë”, thuhet në njoftimin e policisë. 

Rreth orës 01.50 , Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, mësohet se kanë konstatuar se në aksin rrugor Kordhocë –Gjirokastër po lëviste me shpejtësi një automjet tip Benz me targa fallco GJ 4868A, dhe xhamat i kishte të zinj (të riveshur ), siç sqaron policia.

Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër së bashku me dy efektëivë të qarkullimit rrugor i kanë dalë para automjetit për ta ndaluar, por drejtuesi i automjetit nuk ka ndaluar por është larguar me shpjetësi në drejtim të Gjirokastrës duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë që tentuan ta ndalonin. 

Policia është vënë në ndjekie të autometit që dyshohej se transportonte lëndë narkotike. Drejtuesi i automjetit në hyrje të qytetit Gjirokastër ka devijuar rrugën nacionale duke u futur në një rrugë të brendshme të qytetit në drejtim të lagjes Zinxhira, ku është futur në mes të disa magazinave dhe ka braktisur mjetin duke u larguar me shpejtësi. Ai ka përfituar nga mjegulla e denduar dhe errësira . 

Në ndjekeje të autorit janë vënë Specialistët e Sektorit Kundër Narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër si dhe efektivë të Komisariatit të Policisë Gjirokastër por nuk është bërë e mundur kapja e autorit. Nga këqyrja që iu bë automjetit tip Benz me targa Gj 4868 A, rezultoi se drejtuesi i automjetit i kishte hequr sediljet e pasme si dhe ndarjen midis bagazhit dhe sediljeve të pasme. Në bagazh dhe në pjesën ku vendoset sedilja e pasme u gjetën 48 pako të mëdha të mbështjella me letër natriban me peshë nga 3.5 deri në 5.9 kilogramë secila gjithsej 220.2 kilogramë Mariuanë.