TIRANË-Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Ettore Sequi, deklaroi sot se shqiptarët janë të interesuar për integrimin. Por sipas Sequi, “transformimi është i mundur me më shumë angazhim nga politika dhe gjithë faktorët”.
“Shqiptarët dëshirojnë të jenë qytetarë të vërtetë evropianë. Në një sondazh, 87 % e shqiptarëve e shohin zhvillimin me anë të perspektivës evropiane. Taksat e qytetarëve tanë transferohen këtu,që të përmirësohet jeta e shqiptarëve. Transformimi është i mundshëm me angazhimin e të gjithëve. Shqipëria ka bërë arritje gjatë këtyre 20 viteve por ka ardhur koha që të reflektohet në veprimet konkrete për atë që është arritur dhe për të atë të cilën nuk është arritur” tha Sequi.
Deklarata u bë sot në një tryezë të përbashkët qeveri-donatorë, në thelb të së cilës kanë qenë reformat dhe puna në vijim për përmbushjen e tyre në kuadër të bashkëpunimit me donatorët.
Sequi ka thënë se sfida për të kaluar nga planifikimi te suksesi ka të bëjë me të gjithë ne.
Ai ka numëruar tre shtylla të rëndësishme në rrugën drejt integrimit: “Vullneti i shqiptarëve, që është bërë i qartë në 20 vitet e fundit, ku ata kanë treguar se duan të integrohen; te vullneti i klasës politike shqiptare, integrimi duhet të jetë objektiv kombëtar dhe plotësimi i reformave mbeten në axhendën tonë për Shqipërinë, transformimi i vendit në demokraci funksionale dhe vullneti i BE dhe i donatorëve”- tha ai.
Sipas ambasadorit Sequi, përmbushja e reformave e çon Shqipërinë në një rrugë të pakthyeshme drejt integrimit ndërsa shtoi se marrja e statusit të kandidatit do të thotë pjekuri dhe përpjekje e Shqipërisë për anëtarësim në BE
“Nuk jemi këtu, që të arrijmë dhe të harrojmë, por të arrijmë dhe të jemi të qëndrueshëm” shtoi ambasadori.
Ndërkohë që ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu theksoi se qeveria është e angazhuar në vijimin dhe përmbushjen e gjithë reformave, duke shtuar se do të vazhdojë gjithnjë t’i bëjë thirrje opozitës të votojë ligjet e të mos bllokojë integrimin.
Ministrja Bregu ka numëruar arritjet dhe punën që është bërë në përmbushjen e 12 prioriteteve, duke thënë se politika bllokuese dëmton gjithë shqiptarët.