Juventusi fitoi 3-1 me Bolongan, duke hedhur një tjetër hap të sigurt drejt titullit të shtatë radhazi në Serinë A, por ky sukses u shoqërua me polemika të shumta për shkak të vendimeve të dyshimta të arbitrit kryesor, që ndkuan drejtpërdrejt në përmbysjen e rezultatit nga 0-1 në 3-1.

 

Kështu moviola ka vlerësuar se gjyqtari Irrati, në bashkëpunim me VAR-in kanë gabuar në dy momente në favor të bardhezinjve, çka lehtësoi edhe përmbysjen e rezultatit. Rasti i parë ishte ai i minutës së 26′, kur Crisetig rrëmben një top dhe niset i vetëm drejt portës së Buffon, por Rugani shkakton faull me duar nga mbrapa. 

Pas një pauze të gjatë, Irrati akordon 11-metërsh dhe ndëshkon me karton të verdhë mbrojtësin e Juventusit, një vendim që nuk respekton aspak rregulloren. Futbollisti i Bolognës ishte nisur i vetëm përballë Buffon dhe Rugani si lojtar i fundit duhej ndëshkuar me karton të kuq.

Një tjetër rast mjaft polemik, ku as Irrati dhe as VAR nuk arritën të marrin vendimin e duhur, ishte ai i momentit kur Khedira shënoi golin e avantazhit për bardhezinjtë. Mesfushori gjerman shtyn dukshëm futbollistin e Bolognës që kishte para vetes, duke mos i dhënë mundësi të kërcejë dhe të largojë topin, që më pas vetë Khedira e dërgoi në rrjetë.

Protesta e emilianëve nuk vlejti as në këtë rast, që Irrati dhe VAR të rishikonin aksionin dhe të anulonin golin. Kështu pas një fitoreje tejet të kontestuar të shtunën e kaluar në “San Siro”, ku Orsato la Interin me 10 futbollistë që në minutën e 18′, ndërsa fali në dy raste të tjera Pjaniçin e Juventusit, edhe këtë të shtunë arbitrimi vendoset dukshëm në favor të bardhezinjve, duke u dhënë atyre një dorë drejt fitimit të titullit të 7 radhazi.