Në Stamboll të Turqisë, nga 28 gushti deri më 9 shtator 2012, u zhvillua olimpiada e 40-të botërore e shahut. Ajo që vlen të çmohet është prezanca në ekipin përfaqësues të Shqipërisë e tri shahistëve durrsakë. Ata janë trajneri dhe Mjeshtri Ndërkombëtar Fatos Muça, Mjeshtri i Madh Ndërkombëtar Erald Dervishi me elo 2538 dhe Mjeshtri i FIDES Lorenc Rama.

Ndër 158 shtetet pjesëmarrëse, Shqipëria pas 9-të tureve u rendit në vendin e 52-të me pikë të barabarta deri në vendin e 64-të. Sipas Fatos Muçës kjo është një arritje e jashtëzakonshme për shahun shqiptar, kur dihen mirë kushtet dhe vështirësitë që po kalon ky sport. Ishte ndihmesa e presidentit Rezart Taçi që financoi këtë pjesëmarrje, duke i krijuar kushte sa më të mira shahistëve për një prezantim evidentues të shahut tonë.

Muça shpjegon se shumica e shteteve pjesëmarrëse e vënë shahun lëndë mësimore duke masivizuar në mënyrë të jashtëzakonshme këtë sport në vendet e tyre. “Ne kemi ndihmesën e Federatës Ndërkombëtare të Shahut,- nënvizon Fatos Muça,- për të mbështetur vendosjen e shahut si lëndë mësimore duke nisur që në ciklin shkollor. Bota e qytetëruar e do shahun si sport të mendjes dhe kulturës njerëzore dhe bën çmos për masivizimin dhe cilësinë e tij. Shpresojmë që të paktën vitin e ardhshëm shkollor të fitojë mendimi për ta inkuadruar sportin e shahut si lëndë mësimore. Asistencën teorike me literaturën përkatëse na e jep FIDA. Atëhere ta shfrytëzojmë këtë mundësi”.