•  Në tri gjykata (Apeli Tiranë, Korçë dhe Pogradec) funksionon sistemi video-monitoring në sallën e gjyqit

 TIRANË, 16 mars 2013 – Amerikanët “zhveshin” gjykatat shqiptare që njerëzit të shohin drejtësinë lakuriq.  

Tashmë Shqipëria, falë ndihmës së USAID-it, ka një portal të gjykatave nga më modernët, portal i cili siguron automatizimin dhe transparencën e procesit.

Sikurse ka pohuar zëvendësministri shqiptar i Drejtësisë Ermal Dobi, duke u mbështetur në këtë portal, dikasteri i tij ka filluar edhe inspektimet online të gjykatave.

Po ashtu, është instaluar një sistem elektronik për pritjen e ankesave online të qytetarëve.

Dobi tha se me asistencën e projektit JuST në 13 gjykata, seancat gjyqësore regjistrohen audio me synim shtrirjen e kësaj metode në të gjitha gjykatat.

Në tri gjykata (në atë të Apelit të Tiranës, dhe gjykatat e Korçës dhe Pogradecit) funksionon sistemi video-monitoring në sallën e gjyqit.

Projekti JuST (Justice Sector Strengthening – Programi për Forcimin e Drejtësisë,, nën moton “Për një drejtësi më transparente, të efektshme dhe të përgjegjshme në Shqipëri”, ka filluar në tetor 2010 dhe përfundon në tetor 2015.

USAID Albania thotë se ky projekt synon rritjen e transparencës, paanshmërisë dhe efektshmërisë në gjykata, konsolidimin e rolit mbikëqyrës dhe antikorrupsion të organizatave të shoqërisë civile dhe të medies, si dhe forcimin e arsimimit juridik dhe avokatisë në Shqipëri.

Projekti është pjesë e mbështetjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara për shtetin ligjor dhe për mirëqeverisjen në Shqipëri, duke e vënë theksin në përmirësimin e funksionimit të drejtësisë në vend dhe rritjen e kërkesës nga publiku për përgjegjshmëri në sistemin e drejtësisë.

Projekti do të trajtojë mungesën e transparencës dhe të efikasitetit në sistemin gjyqësor që vazhdon të pengojë zbatimin e reformave domethënëse.

Kjo do të arrihet

  • përmes mbështetjes së drejtpërdrejtë për gjykatat në krijimin e sistemeve për përgatitjen dhe vënien në dispozicion të procesverbaleve të plota (fjalë për fjalë) të seancave gjyqësore;
  • përmes asistencës teknike për të promovuar shfrytëzimin më të plotë të sallave të gjyqit në të mirë të publikut;
  • si dhe përmes asistencën për tre gjykata pilote për prezantimin dhe zgjerimin e përdorimit të ndërmjetësimit për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve tregtare e familjare.  

Për të ndihmuar në eliminimin e korrupsionit në institucionet qeveritare dhe sistemin e drejtësisë, projekti do të ofrojë asistencë të drejtpërdrejtë

  • për ngritjen e kapaciteteve të Unionit të Gjyqtarëve dhe të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, si dhe të OSHC-ve të angazhuara në fushën e drejtësisë;
  • do të mbështesë nisma të OSHC-ve dhe të medies për një angazhim aktiv në rritjen e përgjegjshmërisë në sistemin e drejtësisë ndaj praktikave korruptive;
  • do të promovojë gazetarinë investigative si dhe analizën e dhe mbulimin e çështjeve të sistemit të drejtësisë nga gazetarët.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/