WASHINGTON, 29 prill 2013– Ligjvënësit amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të injorojnë njoftimet që Siria ka përdorur armë kimike.

Javën e kaluar Shtëpia e Bardhë informoi ligjvënësit amerikanë se beson që qeveria e Presidentit Bashar al-Asad ka përdorur sasi të vogla gazi sarin, armë kimike, gjatë konfliktit të përgjakshëm civil në Siri. 

Deklarata u prit me reagime të forta nga ligjvënësit, që u ndjenë edhe në komentet e tyre dje.

Në një intervistë për programin televiziv Meet the Press, senatori republikan John McCain kërkoi veprime të menjëhershme. "Armatosja e kryengritësve sirianë, ndihma për refugjatët dhe përgatitjet për një forcë ndërkombëtare që të ndërhyjë për t'i vënë nën kontroll stoqet e armëve kimike e ndoshta edhe armët biologjike që mund të ekzistojnë.

Këto armë nuk duhet të bien në duart e xhihadistëve",-tha ai, e bëri gjithashtu thirrje për vendosjen e një zone ndalim-fluturimesh mbi Siri. 

Shtëpia e Bardhë tha se kërkon nga Kombet e Bashkuara të konfirmojnë bindjen e Shteteve të Bashkuara se armët kimike janë përdorur.

Presidenti Obama është shprehur se ekziston një vijë e kuqe dhe se nëse kalohet kjo vijë, Amerika do të përgjigjet.