TIRANË – Sipas mediave, Ministria e Shëndetësisë ka reaguar pas akuzave të një dite më parë të kreut të selisë rozë, Edi Rama, gjatë vizitës së tij në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Përmes një deklarate, zëdhënësja e MSH shprehu shqetësimin për politizimin e një çështjeje kaq themelore sa shëndeti dhe përdorimin e bluzave të bardha për vota.

 “Është e turpshme që jeta e qytetarit të thjeshtë të përkthehet në votë. Partitë opozitare duhet të shohin përtej 23 qershorit, pasi jeta e qytetarit nuk ka ngjyra politike”, tha zëdhënësja e MSH.

Më tej MSH hedh poshtë akuzat e bëra një ditë më parë nga lideri i opozitës në lidhje me mungesën e investimeve, duke bërë të ditur se reformat në këtë spital dhe në përgjithësi në shëndetësi do të vijojnë për të përmirësuar shërbimin ndaj qytetarëve.

Një ditë më parë kreu i PS-së Rama ishte në Spitalin Ushtarak ku u  takua me drejtuesit, mjekët dhe infermierët e këtij spitali të cilët e njohën me gjendjen në të cilën ata kryejnë shërbimet ndaj qytetarëve dhe shprehën shqetësimin për mungesën e bazës materiale.

Opinioni publik

Por LSI-së dhe ministrit Vangjel Tavo u kanë kthyer përgjigje amerikanët. Për t’u ofruar publikut dhe liderëve politikë dhe civilë informacion sa më objektiv dhe në kohë në lidhje me prioritet dhe pikëpamjet e qytetarëve para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, Instituti Demokratik amerikan drejtoi një hulumtim cilësor të opinionit publik në katër rajone të Shqipërisë (Tiranë, Shkodër, Fier dhe Korçë) gjatë periudhës 10-18 tetor, 2012.

Agjensia e lajmeve Dyrrah ka siguruar raportin e plotë. Ky studim përfshiu 10 diskutime në grupe të fokusuara dhe kishte si qëllim: të identifikojë shqetësimet e qytetarëve dhe t’ua komunikojë ato liderëve politikë përpara zgjedhjeve për t’i ndihmuar ata që të hartojnë më mirë politikat e tyre; të mbledhë dhe analizojë perceptimet e qytetarëve në lidhje me mjedisin politik aktual si dhe opinionet dhe shqetësimet e tyre në lidhje me procesin elektoral dhe zgjedhjet e ardhshme; të marrë informacion mbi qëndrimet e qytetarëve në lidhje me punën e institucioneve shtetërore, rolin e partive politike, rolin e shoqërisë civile si edhe perspektivën Evropiane të vendit; të eksplorojë pikëpamjet e qytetarëve mbi barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e grave në politikë.

Ndër të tjera, pjesëmarrësit në sondazh shfaqen të pakënaqur me shërbimin shëndetësor publik në vend. Ky i fundit është kritikuar shpesh gjatë diskutimeve në grupe për paaftësi dhe korrupsion. Edhe pse shërbimi shëndetësor supozohet të jetë falas dhe i mbrojtur nga sigurimet shëndetësore, pjesëmarrësit pretendojnë se shpenzimet e tyre në këtë sektor janë mjaft të larta.

Ryshfetet

Fenomeni i dhënies së ryshfeteve ndaj mjekëve dhe infermiereve, të cilët përndryshe do të jepnin një shërbim të pakënaqshëm, duket të jetë mjaft i përhapur. Përveç kësaj, pjesëmarrësit pohojnë se në spitale dhe klinika publike shpesh mungojnë mjekimet dhe pajisjet bazë, gjë që i detyron pacientët t’u drejtohet klinikave dhe farmacive private për të blerë medikamente dhe për të kryer analiza mjekësore me paratë e tyre. Ja si u shprehën njerëzit:

“Më duhej të çoja motrën në urgjencë. Doktori më dha recetën dhe më tha të shkoja te farmacia jashtë për të marrë ilaçet për gjilpërë. Po pse nuk paska spitali publik një gjilpërë, të paktën tek

urgjenca” (femër, Fier).

 “Na u desh të çonim një të afërmin tim në spital. Deri në momentin që u dhamë lekë, infermieret as që nuk e prekën me dore” (mashkull, Tiranë).

“Nëse nuk u jep lekë atyre të stafit mjekësor, ata nuk të shërbejnë, ose merr një shërbim shumë të dobët. Këtë e them nga eksperienca personale, sepse m’u desh t’i paguaja që të më fusnin në operacion” (femër, Shkodër).

“Duhet të bësh pazarin para se të futesh në dhomën e operacionit” (mashkull, Tiranë)

“Eko dhe skaneri janë gjithmonë të prishura në spitalet publike, ndërsa në klinikat private janë në rregull. Doktorët gjithmonë të sugjerojnë që të shkosh te klinika private ngjitur me spitalin publik” (mashkull, Shkodër).

Praktika të gabuara mjekësore

Gjithashtu, gjatë grupeve shpesh u ngritën pretendime për praktika të gabuara mjekësore si rezultat i paaftësisë së ofruesve të këtyre shërbimeve. Sipas pjesëmarrësve, këto gabime mund të vijnë edhe si pasojë e punësimit të mjekëve dhe infermiereve më shumë mbi baza nepotizmi, përkatësie politike, apo përkundrejt pagesave, se sa duke u bazuar në aftësitë e tyre reale. Ja si u shprehën njerëzit:

“Ka raste kur pushojnë nga puna specialistë me 20 vite eksperiencë që të punësojnë djem të rinj që sapo kanë mbaruar shkollat. Pra të heqësh nga puna dikë me eksperiencë dhe të fusësh një djalë të ri, vetëm se ka “mikun”, ka “shokun” është absurde” (mashkull, Tiranë).

“Para tre ditësh isha në spital dhe e pashë se çfarë ndodhte. Së pari nuk isha i sigurt për sëmundjen që kisha. Ata [mjekët] më thanë që kisha apendicit, por në fund apendicit nuk kishte lidhje fare” (mashkull, Tiranë).

“Spitalet nuk kanë staf të aftë. Nëse nuk ke staf të specializuar, ç’më duhen mua aparaturat, pamja e jashtme e spitalit” (mashkull, Korçë).

Investimet

Mungesa e infrastrukturës bazë dhe investimet shumë të kufizuara në sistemin e kujdesit shëndetësor publik janë çështje të tjera të përmendura shpesh si probleme të këtij sektori. Banorët e zonave rurale, e veçanërisht ata të Fierit, nënvizuan problemet në infrastrukturën e kujdesit shëndetësor si edhe aksesin e kufizuar që ata kanë në këto shërbime. Ja si u shprehën njerëzit:

“Muret janë të dëmtuara dhe mobiliet të prishura në spitalet publike” (mashkull, Tiranë). “Spitale private ka plotë, dhe ata i kanë të gjithë komoditetet e nevojshme, por ne nuk i përballojmë dot. Spitalet shtetërore janë për faqe të zezë sidomos, kirurgjia, nuk ka rregulla, nuk ka as pllaka” (femër, Tiranë).

“Investimet në spitalet publike janë minimale dhe ne duhet të gjejmë arsyen pse, ndoshta ajo që ne paguajmë për sigurim nuk mjafton sepse ka shumë njerëz të pasiguruar.” (mashkull, Korçë)

“Mjeku vjen në orën 9 në mëngjes dhe ikën shumë shpejt, ne nuk kemi ambulancë aty” (femër, Fier).