TIRANE– Shefi i misionit të FMN-së për Shqipërinë, Nadeem Ilahi thotë në një intervistë për “Zëri i Amerikës” se viti 2013 do të jetë një vit  i vështirë për ekonominë shqiptare. Megjithëse Europa ka treguar se po e lë pas krizën ekonomitë e dy fqinjëve të Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë, do të vazhdojnë të tkurren e kjo pritet të sjellë sërish ndikime në ekonominë e brishtë shqiptare.

Zyrtari i FMN-së flet për rrezikun e borxhit të lartë, i cili sipas tij duhet të reduktohet duke ulur shpenzimet dhe duke rritur të ardhurat. Sipas tij rritja e numrit të kredive të këqia ndoshta nuk do të krijojë shumë probleme në sistemin bankar shqiptar. “Kemi mendimin se edhe në skenarin më të keq, nuk do të ketë një stres të madh në sistemin financiar dhe ndoshta vetëm disa banka mund të kenë nevojë për kapital shtesë. Pra megjithëse duket si një kryefjalë shqetësuese – kreditë e këqija janë rritur – në fakt ndikimi në sistemin financiar mund të mos jetë shumë i madh”,- tha ndër të tjera gjatë intervistës Nadeem Ilahi.

Zoti Ilahi, së pari do të doja opinionin tuaj lidhur me gjendjen ekonomike të Shqipërisë gjatë vitit 2012. Si e përballoi Shqipëria krizën financiare të Eurozonës?

Ecuria ekonomike e Shqipërisë gjatë 2012-s duhet të vihet në kontekstin e krizës së Eurozonës. Shqipëria e përballoi mirë atë që nga 2008-a kur filloi kriza. Me lidhjet e ngushta me Italinë dhe Greqinë, mund të prisje një tronditje më të madhe të ekonomisë. Por nëse shohim shifrat, ekonomia e Shqipërisë është një nga të paktat në rajon që nuk përjetoi rritje negative. Ka një numër faktorësh që ndikuan këtu – stimulimi fiskal i bërë nga qeveria, pati politika bankare të kujdesshme që parandaluan tronditjet që patën vende të tjera në rajon. Pra këto ndikuan që të kishte një rritje të vogël por të qëndrueshme deri në vitin 2012. Viti që lamë filloi me një situatë të vështirë të motit, që ndikoi në uljen drastike të ekonomisë, në fakt në nivele negative në tremujorin e parë. Kjo, e ndërthurur me klimën financiare në Evropë vitin e kaluar, ndikoi gjithashtu në besimin e investitorëve dhe të konsumatorëve në Shqipëri. Pati lajme jo të mira në mesin e vitit që erdhën nga Greqia dhe kjo ndikoi në ngadalësimin ekonomik. Pra ecuria ka qënë e dobët, por Shqipëria mënjanoi kontraktimin e ekonomisë.

Ka shifra kontradiktore kur flitet për vlerësimet. FMN-ja dhe Banka Botërore thonë se rritja ekonomike për 2012 ka qënë mes zero presje 5 dhe zero presje 8-ës ndërsa qeveria thotë se ajo do të jetë mbi 2 përqind. Përse kjo mospërputhje në shifra?

Parashikimet në këtë kohë të paqëndrueshme janë të vështira. Kur pamë ecurinë e ekonomisë në tetor, faktorët tregonin se ekonomia do të ishte e dobët. Ka njoftime se ndikimi nga kriza në Evropë nuk ka qënë aq i madh. Mendimi ynë është se rritja do të jetë në fakt pak më e lartë, ndoshta më shumë se 1 përqind, por dyshojmë se do të arrijë 2 përqindshin.

Qeveria ka pranuar se ka ulje të rritjes ekonomike dhe fajëson për këtë krizën në Eurozonë. A ka faktorë të tjerë, të brendshëm që kanë sjellë këtë rënie?

Siç e përmenda, vështirësitë e motit në fillim të vitit luajtën rol në rënie. Por Greqia ishte një faktor i rëndësishëm. Shumë shqiptarë emigrantë nuk kanë dërguar më aq shumë të ardhura në vend. Italia është një partnere e ngushtë e Shqipërisë. Disa përllogaritje tregojnë se dy e treta e eksporteve shqiptare shkojnë në Itali. Një faktor që e ka ndihmuar Shqipërinë për të mos patur një ulje të madhe është se ajo ka qënë në gjendje të riorientojë eksportet e saj, larg nga Italia dhe Greqia dhe më shumë drejt partnerëve jo tradicionalë si Turqia dhe Kina. Përshembull nafta dhe mineralet janë tani një pjesë e madhe e ekporteve dhe këto janë mallrat ë reja që kanë hyrë në shportën e eksporteve të Shqipërisë kohët e fundit. Kjo ka ndihmuar në zbutjen e një rënieje më të madhe ekonomike.

Të flasim pak për borxhin publik, më i larti në rajon sipas jush. Ju keni shprehur shqetësimin tuaj për këtë. Në fillim të vitit qeveria premtoi të shkurtojë borxhin, por në fund të vitit miratoi një ligj për të ngritur kufirin e borxhit mbi 60 përqind. Çfarë ndodh kur ngrihet kufiri i borxhit për një ekonomi si Shqipëria? Disa mund të thonë, kufiri e ka kaluar 60 përqindëshin, kufirin që ju shqetëson kaq shumë dhe asgjë s’ka ndodhur?

Po, është e vërtetë, borxhi është shumë i lartë, ndoshta më i larti në rajon. Kjo në vetvete paraqet problem për rritjen ekonomike në të ardhmen dhe rreziqe të tjera. Problemi tjetër është se gati gjysma e borxhit të Shqipërisë është afatshkurtër. Ai maturohet brenda 12 muajsh. Një faktor tjetër që ndikon është se borxhi i brendshëm, 70 përqind e tij mbahet nga sistemi bankar, që në vetvete është në pronësi të lartë të bankave të huaja, që nga ana e tij ka qënë nën presionin e krizës financiare evropiane. Këshilla jonë për autoritetet ishte që të tregojnë kujdes në ndjekjen e këtyre lidhjeve. Mund të mos ndodhë asgjë por klima financiare në Evropë mund të sjellë një rrezik më të madh me këtë përqindje kaq të lartë të borxhit.

Qeveria kishte në plan të ulte borxhin përmes privatizimit të Albpetrolit i cili duket se dështoi. Çfarë planesh të tjera mund të përdorë qeveria për të ulur këtë borxh, që ju thoni se është i rrezikshëm?

Albpetroli ishte një çështje që e diskutuam kur ishim në tetor. Pra siç e dini privatizimi nuk ndodhi. Qeveria po kërkon tani të privatizojë disa hidrocentrale ,por kjo nuk është ndonjë shumë e madhe. Por ulja e borxhit duhet të vijë përmes buxhetit. Këshilla jonë ka qënë se duhet të merren masa për shkurtimin e shpenzimeve dhe rritjen e të ardhurave për ta mbajtur borxhin gjatë 2013-s në të njëjtin nivel që është sot dhe më pas të zvogëlohet gradualisht. Ne kemi theksuar se vitet e mëparshme presionet fiskale kanë rënduar mbi shpenzimet kapitale. Kjo është problematike për Shqipërinë pasi ka shumë nevoja zhvillimi, ka nevojë për infrastrukturë. Të zvogëlosh kapitalin në një kohë si kjo është shumë negative për rritjen në një periudhë afatgjatë. Pra këshilla jonë ka qënë shkurtimi i shpenzimeve dhe më shumë përpjekje për të rritur të ardhurat por të ruhet ose të rriten shpenzimet kapitale. Gjithashtu duhet të kihen parasysh programet për të varfërit pasi në krizë nuk duhet të shkurtohen shpenzime për programe të tilla.

Kur folët për borxhin, thatë që qeveria merr një pjesë të mirë të borxhit me maturi të shkurtër. Ka patur disa shqetësime lidhur me mundësinë e qeverisë për të paguar rrogat e punonjësve civilë apo kompanitë private për punët e kryera. A ka ndonjë lidhje mes borxhit dhe aftësisë likuide të qeverisë? A ka problem me likuiditetin qeveria shqiptare?
Siç e kemi përmendur në raport kemi parë disa fatura të papaguara të qeverisë. Ne llogarisim 1 apo 2 përqind të GDP-së. Kjo ka ndodhur në pjesën më të madhe për arsye të projekteve të ndërmarra nga qeveria dhe për shkak të presionit për t’i mbajtur shpenzimet të ulura. Kompanitë që kanë kryer punimet nuk janë paguar dhe kjo ka shkaktuar efektin domino në ekonomi dhe mund të ketë penguar rritjen. Absolutisht që kjo është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të mos zgjeruar pozitat fiskale. Kemi parë se qeveria shqiptare ka arritur të kuptojë se nuk mund ta zgjerojë buxhetin shumë dhe janë përpjekjur për ta mbajtur atë brenda 60 përqindshit. Por në të njëjtën kohë bëhet shumë e vështirë në një ekonomi si kjo. Ka disa sfida në shpenzimet që mund të shkurtohen por që nuk janë ndërmarrë. Në të njëjtën kohë kjo nuk është ekonomi që mund ta rrisë shumë borxhin.

Ju folët për stimulimin e ekonomisë që qeveria arriti të bënte në fillim të krizës. A ka forcë qeveria për një stimul të ri? Ju keni rekomanduar rritjen e taksave në një kohë që qeveria nuk dëshiron ta bëjë një gjë të tillë për shkak se është një vit elektoral, por thotë se do të shkurtojë shpenzimet. Cili është komenti juaj?

Në këtë fazë, me këtë borxh të lartë, qeveria nuk mund të stimulojë më ekonominë. Stimulimi përmes borxhit është shumë i vështirë për shkak se huadhënësit shqetësohen për mundësinë për t’i paguar. Pra mendimi ynë është që qeveria nuk duhet të bëjë ulje taksash apo rritje të shpenzimeve por e kundërta. Kjo duhet të bëhet në një mënyrë që të mos ndikojë negativisht rritjen dhe kjo është arsyeja e rëndësisë së mos prekjes së shpenzimeve kapitale pasi kur shkurtohen këto shpenzime sjellin një ndikim negativ në rritjen ekonomike.

CEZ po tërhiqet nga Shqipëria. Si do të ndikojë kjo situatë mbi buxhetin?

Problemet me CEZ-in kanë ekzistuar për një farë kohe. Kjo ishte si pasojë e privatizimit. Sektori energjitik pati mungesë investimesh dhe tarifat nuk u përshtatën duke bërë që kompania të mos arrinte të mbulonte shpenzimet. Largimi i Cez-it është produkt i kësaj situate që do të shkaktojë probleme të tjera. Kjo do të sjellë nevoja për importin e energjisë dhe qeveria duhet të mendojë për këto faturë. Ikja e CEZ-it mund të krijojë probleme të tjera që mund të kërkojnë vëmendje fiskale.

Huatë e këqija apo që nuk po shlyhen në kohë po rriten me shpejtësi. Sa i lartë është rreziku i kësaj situate?

Sistemi bankar ka patur rritje të qëndrueshme të huave të këqija. Ky problem në Shqipëri është disi më ndryshe nga pjesë të tjera të Evropës, pasi në shumë vende sistemi financiar ishte burimi i krizës. Në Shqipëri sistemi financiar po vuan nga kriza në pjesë të tjera të ekonomisë. Raporti mes kredive të këqija dhe numrit total të kredive është shumë i lartë, ndër më të lartit në rajon. Në të njëjtën kohë, Banka e Shqipërisë ka ndjekur politika të drejta për të siguruar që bankat e tjera do të kenë rezerva monetare të mjaftueshme për të amortizuar tronditjet nga huatë e këqija. Kemi mendimin se edhe në skenarin më të keq, nuk do të ketë një stres të madh në sistemin financiar dhe ndoshta vetëm disa banka mund të kenë nevojë për kapital shtesë. Pra megjithëse duket si një kryefjalë shqetësuese – kreditë e këqija janë rritur – në fakt ndikimi në sistemin financiar mund të mos jetë shumë i madh. Ne kemi dhënë rekomandimet tona për të përmirësuar situatën. Likuidimi i kolateralit që kanë kreditë e këqija nuk është i lehtë për t’u kryer, kryesisht për shkak të pengesave ligjore.  Rekomandimi ynë është që të punohet për ta përmirësuar këtë në mënyrë që bankat të marrin kolateralin më shpejt. Siç e dini në se kreditë e këqija qëndrojnë në bilancin e bankave, mundësia e tyre për të dhënë hua në të ardhmen do të jetë e kufizuar, në një kohë që bankat duhet të jenë të gatshme të mbështesin ekonominë.

Pra kjo ka ndodhur në Shqipëri. Bankat e mbërthyera nga kreditë e këqija nuk po japin më hua të reja apo jo?

Mendoj se ka të bëjë me kerkesën dhe ofertën. Ne mendojmë se kërkesa për hua sot është po aq problematike sa edhe oferta. Bankat kanë likuiditet. Ato mund të japin hua në se duan por mendoj se është mungesa e prespektivës së investimeve dhe mundësia e sektorit privat për t’i kryer këto investime që ka ngecur. Kur ekonomia të marrë përsëri hov kjo do të ndryshojë dhe ne duam që kjo kërkesë të mos kufizohet nga përkeqësimi i bilancit të bankave.

Çfarë masash mendoni se duhet të marrë qeveria në këto rrethana?

2013-a do të jetë një vit i vështirë. Gjërat janë përmirësuar në pjesën më të madhe të Evropës në krahasim me gjashtë muaj më parë. Por Evropa do të vazhdojë të kontraktohet. Italia do të vazhdojë të kontraktohet me gati 1 përqind sipas raporteve të fundit. Pra Shqipëria nuk është jashtë rreziqeve që janë pranë kufijve të saj. Duhet të sigurojë rritje ekonomike për të ecur përpara. Pra rekomandimi ynë është që çështja e borxhit të trajtohet me kujdes. Ne e kuptojmë se nuk mund të shkurtosh shumë borxhin në një kohë si kjo, por në të njëjtën kohë dobësia që vjen nga mbajtja e këtij borxhi në këtë përqindje nga banka duhet të minimizohet. Ky vit gjithashtu është një vit elektoral dhe mendoj se është e rëndësishme të ruhet disiplina fiskale. Në fund do të thosha se ka probleme me reformat strukturore për të cilat Shqipëria ka shumë nevojë për rritjen në të ardhmen, duke filluar me zbatimin bazë të kontratave, problemet me të drejtat e pronësisë që janë pengesë për investimet e huaja. Këto kërkojnë mbështetjen e të gjitha forcave të spektrit politik që sigurisht është e vështirë të realizohet në një kohë si kjo, por duhet të punohet për ta realizuar. Ka problem gjithashtu me reformat institucionale , si ajo në sistemin e drejtësisë që kërkohen edhe nga Bashkimi Evropian për pranimin e Shqipërisë dhe kjo gjithashtu kërkon konsensus politik. Këto janë drejtime që do t’i shërbejnë Shqipërisë në të ardhmen.