Shefi i Kirurgjisë në QSUT Arben Gjata bashkë me ekipin e mjekëve që asistuan në operacionin për heqjen e apandesitit të kryeministrit Edi Rama kanë dalë sot në deklaratë për mediat.

Gjata u shpreh se gjendja post operatore e kryeministrit është stabël dhe se ai mund të dalë nga spitali pas 24 orësh.

“Me ekipin që u mor me trajtimin e kryeministrit, plotësuam të gjitha ekzaminimet e nevojshme në QSUT, Është operuar rreth orës 2 të mëngjesit, gjendja post operatore është stabël, pa temperaturë. Ai mund të ecë vetë që sot. Kryeministri komunikon normalisht dhe është i qetë. Do japim informacione në vazhdim”, theksoi Gjata. Sipas shefit të Kirurgjisë, laparoskopia është një formë ndërhyrjeje nga e cila pacienti rikuperohet më shpejt, duke shtuar se kreu i qeverisë do të jetë plotësisht i shëruar për 3 ose 4 ditë.

Shefi i Kirurgjisë iu përgjigj interesit të gazetarëve:

Koha e rikuperimit total?

-Zakonisht me laparoskopi koha e rikuperimit total është shumë e shkurtër, 2-3 ditësh.

Duhet të ketë kujdes të shtuar kryeministri duke qenë së është dhe në fushatë?

-Jo, kryeministri nuk duhet të ketë asnjë kujdes të shtuar, është apandesit siç kanë hequr mijëra qytetarë shqiptarë, asnjë gjë më shumë, asnjë gjë më pak.

Kur mund të lëvizë normalisht, që të themi që ai mund të ecë vetë?

-Ai mund të ecë vetë që sot.

Kur mund të dalë në fushatë?

-Në fushatë, 2-3 ditë, varet të shohim si do të shkojë situata, nuk jua themi dot.

Domethënë e inauguruam spitalin e ri me kryeministrin?

-Jo, janë sallat që ne kemi patur, është spitali i Kirurgjisë, nuk është spitali i ri. Spital i ri është edhe ai, por i inauguruar para 3 vjetësh.

Pse zgjodhët laparoskopinë?

-Është një procedurë, mund ta bësh me laparoskopi, ne kemi kohë që kemi filluar të operojmë apandesitin me laparoskopi dhe nuk është asnjë gjë e re që edhe kryeministri u bë me laparoskopi.

A keni biseduar me shefin e qeverisë sot?

-Po, sapo jemi larguar, ishte në gjendje të mirë, komunikon normalisht është i qetë fare. Për të gjithë situatën do të keni komunikime në vazhdim.

Zakonisht pas interventeve mund të flasim për gjendje të stabilizuar pasi kanë kaluar 48 orë.

-Jo-jo, varet nga lloji i kirurgjisë. Kjo lloj kirurgjie është gjendje jo e stabilizuar, është gjendje e mirë pa kaluar 8 orë nga operacioni.

Nesër mund të dalë nga spitali?

-Besoj se po. Shpresojmë!

Laparoskopia është një operacion që kryhet në bark ose legen duke përdorur prerje të vogla me ndihmën e një kamere.