DURRES- Pas masës ndëshkuese nga Ministria e Shëndetësisë për pezullimin e tre mjekëve të Spitalit të Durrësit, shefja e Shërbimit Pediatrik, Irena Lila, deklaron në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” se lajmin e ka marrë nga mediat, pasi gjatë gjithë ditës së djeshme, së bashku me nëndrejtorin e Spitalit dhe mjekun pediatër kanë qenë në Ministrinë e Shëndetësisë, për të dhënë sqarime mbi ngjarjen. Lila deklaroi se 7-vjeçarja Arsela Vladi ishte paraqitur ne Repartin e Pediatrisë ditën e martë me dhimbje koke dhe të vjella, ndërsa as nëna e saj nuk e dinte se vajza vuante nga diabeti. Sipas saj, vajza kishte paraqitur një vit më parë të njëjtat shqetësime, e konkretisht në muajin nëntor të 2011-ës. Vizita ishte kryer tek mjekja neurologe, e cila i kishte kërkuar të kryente dy diagnostifikime të vajzës, por nëna e saj, pasi kishte marrë përgjigjet e ezhesë dhe të skanerit, nuk ishte paraqitur më në spital. 

 

Znj. Irena, ju jeni pezulluar sot nga puna për vdekjen e 7-vjeçares Arsela Vladi; çfarë mund të na thoni për këtë rast?

Zyrtarisht nuk më ka ardhur asnjë shkresë, por as gojarisht nga titullarët e spitalit për pezullimin nga detyra. Tani në mbrëmje që hyra në shtëpi e mësova prej televizorit që më kanë pezulluar. Gjatë ditës së sotme, unë, nëndrejtori i spitalit dhe mjeku pediatër Rasimi, kemi qenë në ministri ku na kanë pyetur në lidhje me kartelën dhe vdekjen e vajzës 7-vjeçare nga Xhafzotaj. 
 

Kur u shtrua vajza?

Të mërkurën në mëngjes jam njohur me kartelën e vajzës Arsela Vladi, e cila ishte hapur një natë më parë nga mjeku roje. Pyeta nënën e saj nga se vuante vajza. Thjesht më tha që kishte dhimbje të forta koke dhe kishte pasur të vjella. Më tha që një vit më parë, në nëntor, kishte qenë me këto simptoma dhe e kishte vizituar vajzën tek mjekja neurologe Irma Nasto, e cila i kishte thënë të kryente dy diagnostifikime, ezhenë e kokës dhe skanerin, por nëna nuk ishte kthyer më tek neurologja që t’i kthente përgjigje për vlerësimin e mëtejshëm të gjendjes së vajzës. Të mërkurën në mëngjes, kur mbërrita në punë, e vizitova vajzën dhe nëna e saj më tha se vajza kishte kohë që kishte dhimbje të mëdha koke, pinte shumë ujë, kishte humbur shumë në peshë, urinonte shpesh dhe nuk kishte oreks. Kishte ndërprerje të ushqimit. Nga të dhënat që më tha nëna e saj konkludova se fëmija kishte diabet. Ndërkohë, diagnoza u konfirmua edhe nga përgjigjet e analizave të gjakut dhe të urinës me diagnozën “Diabet sheqeri”. 
 

Duke parë që fëmija vuante nga diabeti, të martën në mbrëmje kur ajo ka mbërritur në Urgjencë i është filluar terapi me serum glukozë; a është mjekimi i duhur?

Në fakt, nëna e saj i kishte thënë mjekut se vajza kishte dhimbje koke dhe të vjella. Kur vjen një fëmijë me këto simptoma, doktori të parën punë ka si detyrë rihidratimin e fëmijës. Por në këtë rast e ka gjykuar ai, që të japë glukozë dhe jo serum fiziologjik. 
 

A është ky një shkak për humbjen e fëmijës?

Duke parë që gjendja ishte serioze, u kërkua konsultë në mbrëmje, sepse 12 orët e mëpasme kanë rezultuar fatale për fëmijën. Në fakt, ky është vlerësimi që i ka bërë mjeku roje, që ka qenë atë natë në shërbim. Ne në raste urgjente mblidhemi për konsultë, kur pacientët kanë rreziqe serioze, edhe në orën 1 të natës, edhe në orë të tjera. Në këtë rast, kur një fëmijë vuan nga diabeti, nuk mund të kurohet me serum glukozë, por me ujë fiziologjik. Megjithatë, për të gjithë ekipin do të jenë hetimet ato që do të zbardhin shkakun e vdekjes së fëmijës. Duhet të analizohet puna që është bërë dhe përgjegjësia konkrete. 
 

Duke parë që fëmija ka mbërritur i dehidratuar në orën 21:00 të mbrëmjes së të martës në spital, ku edhe është shtruar, pse nuk i janë bërë analizat me urgjencë, për të parë diagnozën e për të marrë mjekimin e duhur?

Për analizat që nuk janë bërë që kur u shtrua fëmija duhet të japë përgjigje doktori që ka bërë shtrimin. Analizat kryhen në çdo orë për të gjithë pacientët që shtrohen në spital. Unë nuk jam thirrur në konsultë gjatë natës. Në mëngjes u krye konsulta për vajzën 7-vjeçare dhe rezultoi se kishte diabet. Menjëherë plotësova kartelën dhe e nisëm për në repartin e endokrinologjisë në Tiranë. Vajza ishte e ndërgjegjshme, dhe iu përgjigj të gjitha pyetjeve që i drejtuam si ekip mjekësor.