Nga Gladiola Jorbus

(Dr. Nikolla Jorgoni – një rrëfim i çiltër)

 Që në antikitet, njerëzit besonin se emri mund të përcaktojë natyrën dhe të ndikojë në fatin e njeriut. Në traditën e ortodoksisë, dita e emrit është një festë e shquar që ka një kuptim të shenjtë. Pikërisht më 6 Dhjetor, kremtohet Shën Nikolla apo Nikolla Mrekullibërësi. Tashmë është shndërruar në ritual që ditën e këtij shenjtori, të uroj me shumë përzemërsi, doktorin e mirënjohur durrsak, Nikolla Jorgoni, i cili si një alkimist i vërtetë duket sikur e mposht sëmundjen më shpejt se medikamentet.

 Një njeri pozitiv, fisnik, i papërtueshëm, me një buzëqeshje rrezatuese në fytyrë, me sytë që i shkëlqejnë pas xhamave të syzeve, që me dashamirësinë, aftësinë dhe karizmën e tij është shndërruar në një bekim të madh për bashkëqytetarët e tij. Në telefonatën që shkëmbyem këtë vit, si me shaka i thashë se do të më pëlqente të shkruaja për të. Realisht të tillë njerëz duhen konsideruar si enciklopedi të gjalla që ecin me këmbë a me biçikletë, siç e identifikojmë shpeshherë doktor Nikollën. Rrëfimi i tij ishin tejet mbresëlënës, i sinqertë, i ndjerë, njerëzor.

 Ky shkrim është një biografi e reduktuar e përvojave më të paharrueshme të Dr. Jorgonit, të treguara me thjeshtësi dhe humor, duke na bërë më të prekshëm rrugëtimin e tij si doktor përgjatë epokave progresive të mjekësisë. “Shën Nikolla i Durrësit”, kështu kam zgjedhur ta pagëzoj është një portret i veçantë dhe i angazhuar i karrierës së jashtëzakonshme mjekësore të patologut.

I frymëzuar që në moshë të re për t'u bërë mjek, Nikolla Jorgoni ndan në këtë rrëfim; një jetë sfidash, përparimesh në kujdesin ndaj pacientëve dhe përvojat unike që e kanë pasuruar jetën e tij, personalisht dhe profesionalisht. Ky rrëfim përmbledh një karrierë të jashtëzakonshme në mjekësi, që përfshin më shumë se gjashtëdhjetë vite dhe siguron një imazh bindës të një jete të tërë kushtuar njerëzve dhe shërimit të tyre.     

Fillimisht, Dr. Jorgoni e hap siparin e kujtimeve me gjyshin e tij Perikli Jorgoni, një nga tregtarët më të mëdhenj e më të suksesshëm të Tiranës. Për fat te keq nuk ekziston asnjë foto e tij. Është ndarë nga jeta në vitin 1914 dhe flitet se në të njëjtin vit, është takuar me princ Vidin. Ashtu siç i ka hije një familjeje të bashkuar, pas vdekjes së gjysh Perikliut, dy vëllezërit e tij, pas vdekjes së vëllait, investuan dhe u kujdesën për fëmijët e të ndjerit, në mënyrë që ata të shkolloheshin më së miri.

 I pari Nikolla, i ndarë nga jeta në vitin 1936, (prej të cilit doktori ynë ka dhe emrin) kishte mbaruar studimet për juridik në Itali.

 I dyti Jorgji, shembulli moral dhe frymëzimi më i madh për doktor Nikollën, pasi përfundoi gjimnazin “Zosimea” të Janinës, ashtu siç kishin bërë dekada më parë vëllezërit Frashëri e shumë shqiptarë të tjerë të shquar, shkëlqeu si student ekselence, në Grac të Austrisë. Atje u diplomua si mjek, madje konsiderohet pediatri i parë shqiptar. Doktor Nikolla nuk mund të anashkalojë një moment të rrallë nga jeta e xhaxhait të tij, shoqërinë me Mitrush Kutelin e takimin unikal me Aleksandër Moisiun, pas një shfaqjeje të tij në teatër. I madhi A.Moisiu , citonte xhaxhai i tij Jorgji, ishte shprehur kështu: ”Shqipëria në të gjitha fushat e jetës, në art, në mjekësi e kudo ka nevojë të vrapojë, e jo të ecë”. Vlen për t’u theksuar gjithashtu dhe fakti, se Jorgji Jorgoni ka qenë i ati i përkthyesit e poetit të njohur Perikli Jorgoni.

Më pas, një moment tepër i ndjeshëm. Doktor Nikolla përlotet dhe mallëngjehet, kur kujton këtë detaj nga jeta e xhaxhait dhe pediatrit të shkëlqyer e humanist, Jorgji Jorgoni. Një mbrëmje të acartë dimri, të ngjashme me ato legjendat mesjetare, në portën e tij trokiti një çift romësh, tejskajmërisht i varfër. Burri mbante në krahë djalin, që dukej në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Teksa fëmija luftonte për të mbijetuar, Jorgji bënte të pamundurën për ta shpëtuar të voglin nga kthetrat e vdekjes, me gjithçka i ndodhej në shtëpinë e tij. Pas përpjekjesh titanike, djali mbijetoi. Atëherë, i ati për ta falenderuar, nxorri nga sënduku i tij, një byzylyk të argjendtë për të shpërblyer heroin dhe bëmirësin, Jorgji Jorgoni, por doktori fisnik e refuzoi çiltërsisht, duke iu lutur atij njeriu të vuajtur e të vobektë,që ta ruante si kujtim dhe kur djali të martohej, t’ia vinte në dorë. Kjo ishte kërkesa e vetme e shpëtimtarit të një jete, mirënjohja që ai priste në këmbim. Këtë episod kaq prekës, poeti i ndjerë Perikli Jorgoni (i biri i Jorgjit) e ka përjetësuar mjeshtërisht në vargjet e tij:“Në u kujtofsh për mua, i gjallë a në dhe tretur, /Ti ngrima një dolli, për të më përshëndetur”,në nëntor të vitit 2012.

Emocionet vazhdojnë për Dr.Nikollën, teksa numëron mbi 8 doktorë në familjen e fisin e tij: një neurologe, dy patologë, një stomatologe, dy mjekë pediatër, një onkolog, një kirurg, dy mjekë veterinerë që aktualisht e ushtrojnë apo e kanë ushtruar profesionin në Durrës, Tiranë, Pogradec e deri në Kanadanë e largët. Për të gjithë ata, figura e Dr.Jorgji Jorgonit ka shërbyer si inspirim e udhërrëfyes shpirtëror, si një model për t’u ndjekur e admiruar.

 Ashtu si Dr. Nikolla sot, edhe xhaxhai i tij dikur, i bënte vizitat shtëpi më shtëpi, me biçikletë. Në lidhje me këtë fakt, doktori përmend prindërit e tij të dashur, Menellën dhe Ksanthipin. I ati, për shkak të origjinës vllehe është shkolluar në Rumani, kurse studimet e larta i ka kryer në një Shkollë Tregtare në Lecce, Itali. Ndërsa e ëma ka kryer Shkollën e Murgeshave. Shkak për njohjen e tyre ishte (sërish emri i xhaxha Jorgjit), Jorgji Jorgoni, i cili kishte mjekuar e shëruar asokohe, dajë Lonin, vëllanë e Ksanthipit. Sërish nostalgji, sërish krenari familjare…

Duke ndjekur hap pas hapi karrierën e xhaxhait, duke adhuruar plot ëndje punën e tij që në vogëli, Dr. Nikolla nisi t’i lutej Zotit vetëm për një gjë: kur të rritej, të bëhej mjek. Ishte aq i dhënë pas kësaj ëndrre, aq i vendosur në dëshirën e tij, sa nuk dëshironte që fati t’i ndriste diku tjetër kur ishte fëmijë, (asokohe ekzistonin llotari, ku mund të shpërbleheshe duke blerë diçka materiale në mapo), sepse fatin e tij e kishte emërtuar me gërma të mëdha: TË STUDIOJ MJEKËSI.

E kështu në vitin 1953, nisi rrugëtimi drejt konkretizimit të ëndrrës së madhe. Fillimisht u regjistrua në shkollën mjekësore për ndihmësmjek në Tiranë. Ky institucion krijoi një elitë mjekësh që kanë kontribut në fushën e mjekësisë shqiptare si: Besim Elezi, Polikron Çelo, Ahmet Kamberi, Veli Zogu etj. Në vitin 1956, pasi kreu të mesmen, u kthye në Durrës dhe u emërua Kryeinfermier në Spitalin Civil të Durrësit, në Repartin e Patologjisë.

 Këtë periudhë, Dr. Nikolla e cilëson të jashtëzakonshme dhe shumë të vyer, sepse pati fatin të punojë me mjekë shumë të mirë, që kishin përfunduar studimet jashtë shtetit. Në vitin 1965 vjen dita e shumëpritur; Fakultetit të Mjekësisë iu shtua një tjetër i diplomuar në radhët e tij, Nikolla Jorgonin, i cili do ta mbante me shumë përgjegjësi e dinjitet titullin “Mjek”.

 Meqenëse, tashmë njihej për integritetin dhe aftësitë profesionale, ish – drejtori i Spitalit të Durrësit, Gaqo Trebicka, gjatë takimit me Ministrin e Shëndetësisë  të kohës, Ciril Pistoli këmbënguli që mjeku i ri, por shumë i talentuar dhe me të ardhme premtuese, Nikolla Jorgoni, të emërohej në Durrës. Fillimisht punoi fort për t’u përgatitur si patolog, edhe pse nuk e ndjente veten aspak inferior karshi mjekëve të tjerë, pasi kishte një eksperiencë të madhe. Kishte kaluar ndër duar të gjitha rastet e urgjencave si ndihmësmjek.

 “Isha i qetë, plot dashuri e përkujdesje për të sëmurin, aq sa merrja pjesë fizikisht e shpirtërisht në vuajtjet e tij. Ndër parimet e mia bazë janë mosreagimi përmes mimikës së fytyrës, – thekson ai, – mënyra korrekte e të shprehurit, ( i sëmuri nuk dëshiron të dëgjojë provo aksh ilaç, sepse do t’i dukej vetja si një eksperiment i radhës), interesimi i mëtutejshëm në rastet më delikate, ruajtja e etikës profesionale etj., “- citon Dr. Nikolla.

Ndër shqetësimet kryesore të mjekut të ri Nikolla ishte dhe mungesa e Urgjencës në qytetin e Durrësit. Asokohe punonte në Poliklinikë. Puna funksiononte me turne. Ishin katër mjekë; dy paradite e dy pasdite. Durrësi ishte një qytet gjithnjë e në rritje. Shtoheshin rastet urgjente në banesa. “Isha i ri në moshë, i lindur e i rritur në Durrës, ndieja keqardhja për të gjithë bashkëqytetarët e mi që vuanin. Pothuajse të gjitha urgjencat i zhvilloja me biçikletë, ndërkohë që dhe në Poliklinikë vazhdoja vizitat pa i bërë aspak bisht punës”, – shton dr. Nikolla.

Shumë pacientë janë dëshmitarë të faktit se Dr. Nikolla është një diagnostikues tepër korrekt dhe i saktë, aq sa diagnozat e tij mund të konsiderohen të pagabueshme. Përmes një syri dhe veshi prej specialisti të stërvitur, përmes shenjave e simptomave përkatëse, ende pa u kryer analizat, pa u diskutuar me specialistin përkatës, Dr. Nikolla ka evidentuar raste të sëmundjeve si anemia, meningjiti, septumit (vrimë në zemër), diagnozën e pulsit diferencial etj. Diagnostikimi mbetet një lloj alter egoje ekspresive e Dr. Jorgonit.

“Të mendosh që atëherë vuanim dhe për një aparat tensioni. Të kishe një të tillë – ishte privilegj për kohën. Shpeshherë kishim nevojë të kosultoheshim me mjekë profesionistë. Kjo s’ishte gjithmonë e realizueshme, ndaj mbi tavolinën time librat mjekësore qëndronin gjithnjë hapur. Aty do të gjeja përgjigjet e shumëdëshiruara,”– shprehet doktori.

Dr. Nikolla e përmbush plotësisht këtë rol që mund të konsiderohet një mision i veçantë, një përkushtim. Ai shfaq respekt dhe gatishmëri për të ndihmuar të gjithë njerëzit që kanë nevojë për asistencë mjekësore.

 “Ky mision i vështirë, por që të falte sadisfaksion të pamasë na ngriti lart në aspektin tekniko-profesional duke bërë të mundur përcaktimin e një larmie të gjerë diagnozash e duke gjetur njëherësh zgjidhjen e tyre”, – thotë ai. Doktor Nikolla nënvizon se mjeku duhet të mbetet tërë jetën student, nëse do të përparojë e të afirmohet vërtet. Më pas, citon Solomonin:” Fito dituri, se po humbe pasurinë, ke diturinë dhe me dituri, e vë prapë pasurinë”.

Duke qenë se nuk e linte kurrë pas dore punën shkencore, ai merrte pjesë në të gjitha sesionet shkencore të organizuar nga spitali duke u shfaqur kështu dhe në trajtën e autorit serioz, që para auditorit kumtonte tema sa interesnate, aq dhe të lavdërueshme, të mbështetura mbi empatinë, eksperiencën, studimin etj., si:

  • Emocionet e sportistit dhe autosugjestioni
  • Tromboza në bifurkacionin e aortës abdominale post interventit kirurgjikal
  • Veprimi dhe ndërveprimi i medikamenteve ndërmjet tyre
  • Dy raste të veprimit të beta bllokuesve (Atenololi) duke shkaktuar problem të frymëmarrjes (Bronshit astmatik)

Gjithashtu pasi pat diagnostikuar personalisht një rast helmimi, Dr. Nikolla, së bashku me doktorin Ali Sula botuan në Revistën Shëndetësore, punimin “Një intoksikacion nga alkooli metilik”.

Ndërkohë puna e mjekut e çonte në urgjenca të ndryshme, në çerdhe e kopësht, te nxënësit në shkolla e deri tek të punësuarit në fabrika të ndryshme. Ndonëse emri i tij lakohej në tabela nderi, modestia bënte që ai të punonte në heshtje, pa u mburrur duke ua lënë vendin veprave që të flisnin për të. Gjatë vitit që kaloi si mjek në Hekurudhën Rrogozhinë – Fier, përmes përkushtimit, humanizmit dhe punës së tij pa orar e pa kufizime, aq shumë ua fitoi zemrat banorëve të asaj zone, sa e propozuan për ta dekoruar. Ndonëse kërkesa u aprovua, çuditërisht ajo dekoratë nuk mbërriti kurrë në destinacion.

 Ndonëse i apasionuar pas leximit, (edhe në këtë moshë, ai do të mësojë për të rejat mjekësore që nuk i ka hasur gjatë jetës) dhe kuriozitetit për gjuhët e huaja, (i ati Menella, intelektual, njihte 6 gjuhë dhe për këtë ishte burgosur në sistemin e kaluar), Dr. Nikolla ka ndjerë gjithnjë trysninë dhe frikën se mos pësonte të njëjtin fat.

Nisi të studionte frëngjishten, si domosdoshmëri për fushën që zotëronte, por e la në mes. Profesioni i mjekut, obligimet, pacientët i merrnin shumë kohë. Gjithsesi një njeri që do shumë jetën, njerëzit, shëndetin e mirë të tyre, ndjen dhembshuri dhe për librat mjekësorë për të cilët me keqardhje mendon: – Ku do të përfundojnë?!  Disa syresh dëshiron t’ua dhurojë kolegëve më të rinj. “Ndoshta kështu do të më kujtojnë , – thotë mendueshëm doktori”.

Si një fakt interesant të karrierës së tij, ai përmend eksperiencën në Terni të Italisë në vitin 1996. Aty shkoi si mjek profesionist dhe qëndroi për tri javë në pavionin e tij të dashur, në Patologji. Fillimisht, kolegu italian Antonio i qëndronte ftohtë, por pas diskutimeve me karakter shkencor e profesional dhe konsideratës që tregonin profesorët e mëdhenj, kur ndanin pikëpamjet e tyre idem me ato të Dr. Nikollës, Antonio jo vetëm që ndryshoi qëndrim, por i dhuroi shumë libra me vlerë.

Në darkën e fundit përshëndetëse, dr. Nikolla i pyetur për këtë përvojë të re nga stafi italian, pohoi para tyre, se njohja nga afër me gamën e gjerë të medikamenteve kishte qenë shumë e vlefshme, pasi shumë syresh ende nuk njiheshin në Shqipëri. Ama në drejtim të problemeve të ndryshme patologjike, me të sëmurët në spital, nuk kishte përfituar në të njëjtën mënyrë, sepse duke shërbyer për 4 vite si ndihmësmjek dhe për 15 vite si mjek në urgjenca, diagnostikimi për të, nuk përbënte më një sfidë në vetvete. Vlerësimi për aftësitë e tij dhe meritokracia gjalluese funksionale, nxitën drejtuesit e spitalit t’i bënin një ofertë pune, të cilën doktor Nikolla e refuzoi duke menduar për prindërit, vëllezërit, shoqërinë e përkushtimin ndaj të gjithë të dashurve në Shqipëri. Vetja do t’i dukej si tradhtar i parimeve me të cilat ishte mbrujtur, po të largohej nga ky qytet ku jep pareshtur kontributin e tij, mes njerëzve që e duan dhe e respektojnë, që i shprehin në kontinuitet, mirënjohjen e simpatinë.

Me të drejtë, Bashkia e Qytetit të Durrësit e ka shpallur “Qytetar nderi”, por Titulli i akorduar nga Presidenti i Republikësdt. 05/05/2017, nr. dekreti 10284 “Për merita të veçanta civile” me motivacionin: “Për arritje të shkëlqyera në punën e tij si mjek pranë pacienteve dhe popullsisë shqiptare në përgjithësi. Për merita të veçanta shërbimi dhe sakrifikimi, duke simbolizuar shembullin më të spikatur të njeriut me zemër të madhe në fushën e shëndetit” ështënjë prestigj më se i merituar, një pritshmëri më se e aksesueshme për një njeri me të tilla vlera morale.

Doktori i mirënjohur, tashmë gjysh tri herë, (i dy mbesave dhe i një nipi, i cili sipas traditës së trashëgimisë i ka përtërirë dhe emrin) nuk resht së shkruari e menduari për ta, duke ndjerë se ka realizuar kështu denjësisht të gjitha etapat e njeriut: djalosh ëndërrimtar, student, mjek, bashkëshort, baba e së fundmi gjysh, madje një gjysh poet.” Mbesa më bëri poet, – shprehet doktor Nikolla. Kur lindi Iana, nisa të thur vargje e tashmë kam plot tri fletore me poezi. Dashuria e pamasë, dëshira që ajo të më njihte sa më mirë dhe frika se mos ndoshta jeta s’do të ma lejonte këtë kënaqësi më nxitën të vjershëroja për të. Edhe dy nipërve më të vegjël u kam kushtuar poezi. Që të tre janë gëzimi dhe motivi i jetës sime”.

Poezia që i kushtoi mbesës së parë:

Pritja

Zemra na rreh me shpresë e gaz

Si val’ e detit kur ka tallaz,

Se me bekim tëPerëndisë

Edhe një vajzë po i vjen shtëpisë.

 

Një natë të shenjtë në fund t’dhjetorit

Më zgjon një këngë thell’krahrori:

Po vjen Krishtlindja…

                         jehon shtëpia,

Mbi botë shtrin krahët vetë dashuria.

 

Për shtëpinë tonë dymijëegjashta

Yjet dhe hënën i la përjashta.

Por atë natë si mrekulli

Në vatrën tonë erdh një fëmijë.

 

Prite, shtëpi, ti zemër, prite!

       Të erdh Iana si rreze drite!

Engjujt e sollën për ne në botë

Një vajzë si yll, si hënë të plotë.

 

Dhe unë nuk di si u përmbajta,

Drejt te Ianushi i lumtur vajta.

Ndihesha ndryshe, nuk di se qysh

U ripërtëriva me emrin gjysh.

 

Jam gjysh! – thërrita me zë të fortë.

                                                  Gjyshi më i lumtur që ka kjo botë.

 

 “E pashë jetën dhe u përpoqa ta jetoj, duke menduar të lë një emër të mirë që pasardhësit e mi të vazhdojnë në këtë rrugë. Mendoj se ajo m’i fali të gjitha kënaqësitë, me të mirat e të këqijat e saj”, – përmbyll bisedën doktori i zemrave Nikolla Jorgoni.

 Epilog

  •  Në vetëdijen e shoqërisë, mjekët konsiderohen elementët kyçë që balancojnë biologjinë, anatominë, dobësitë psiko-fizike dhe dhembshurinë njerëzore, me aftësitë e jashtëzakonshme për të ndihmuar njerëzit nga të gjitha sferat e jetës. Në fund të ditës, të gjithë mund të ndihemi mirë për atë që kemi bërë, ama mjeku duhet të ndihet hyjnor, nëse ka gjetur apo lehtësuar shërimin e vuajtjes, lëngatës a sëmundjes.
  • Betimi i Hipokratit-Në çastin kur po hyj në radhët e anëtarëve të profesionit mjekësor premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit. Ndaj mësuesve do ta ruaj mirënjohjen dhe respektin e duhur. Profesionin tim do ta ushtroj me ndërgjegjje e me dinjitet. Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe. Do t’i respektoj e do t’i ruaj fshehtësitë e atij që do të më rrëfehet. Do ta ruaj me të gjitha forcat e mia nderin e traditës fisnike të profesionit të mjekësisë. Kolegët e mi do t’i konsideroj si vëllezër të mi. Në ushtrimin e profesionit ndaj të sëmurit tek unë nuk do të ndikojë përkatësia e besimit, e nacionalitetit, e racës, e politikës, apo përkatësia klasore. Që nga fillimi do ta ruaj jetën e njeriut në mënyrë absolute. As në kushtet e kërcënimit nuk do të lejoj të keqpërdoren njohuritë e mia mjekësore që do të ishin në kundërshtim me ligjet e humanitetit. Këtë premtim po e jap në mënyrë solemne e të lirë, duke u mbështetur në nderin tim personal.

 Mbështetur në dy A prioritë e mësipërme deduktojmë në A posteriorinë se Doktor Nikolla Jorgoni është një aset i çmuar i qytetit tonë. Jemi fatlumë që e kemi mes nesh.