• Glaukoma (tensioni i syrit) është një sëmundje e syrit që shkakton dëmtim të nervit optik, ngushtim të pamjes periferike, dëmtim të pamjes qendrore dhe në shumicën e rasteve me rritjen e presionit të brendshëm të syrit. Kjo sëmundje, me trajtimin e duhur dhe në kohë mund të parandalohen shumë nga dëmtimet që vijnë prej saj.

 2 shkurt 2015 –  Çfarë është Glaukoma?
Glaukoma (tensioni i syrit) është një sëmundje e syrit që shkakton dëmtim të nervit optik, ngushtim të pamjes periferike, dëmtim të pamjes qendrore dhe në shumicën e rasteve me rritjen e presionit të brendshëm të syrit. Presioni intraokular mund të ndryshojë nga ora në orë dhe ndikohet nga disa faktorë, si për shembull: rrahjet e zemrës, sasia e lëngjeve që pi dhe pozicioni i trupit. Këto ndryshime natyrore në të vërtetë nuk e dëmtojnë syrin. Tensioni i lartë i syrit në vetvete nuk është provë se keni glaukomë, pasi tensioni 'normal' i syrit ndryshon në varësi të personit. Megjithatë, tensioni i lartë intraokular është një nga shenjat e glaukomës.

Simptomat:

Simptomat dhe fillimi i tyre janë shumë të ndryshme në tipet e glaukomave.

Glaukoma primare me kënd te hapur është neuropati optike kronike progresive që prek adultët tek të cilët presioni intraokular (PIO) si dhe faktorë të tjerë aktualisht të panjohur kontribuojnë për të dëmtuar Nervin Optik (NO). Në këtë formë të glaukomës, humbja e shikimit ndodh gradualisht dhe rrallë herë vërehet. Ndërsa dëmtimi përparon ju mund të zbuloni se keni humbur zona të konsiderueshme të pamjes tuaj periferike dhe më tej të asaj qendrore, nëse glaukoma nuk trajtohet ajo mund të sjellë humbjen e shikimit.

Ndryshe nga glaukoma me kënd të gjerë, glaukoma akute përfshin një rritje të menjëhershme të tensionit të syrit, simptomat ndodhin papritmas dhe mund të përfshijnë dhimbje të forta në sy dhe skuqje, shikim të mjegullt, dhimbje koke dhe të vjella e dobësi ekstreme. Një kategori tjetër quhet glaukoma dytësore ose sekondare, shkaktare të së cilës janë probleme të tjera në sy, si tumori, kataraktet ose dëmtimet e syrit. Një grup i vogël njerëzish preken nga glaukoma e lindur. Në këto raste fëmija lind me këtë sëmundje ose ajo shfaqet pak kohë pas lindjes.

Disa nga faktorët e riskut janë:

o Dikush në familjen tuaj vuan nga glaukoma

o Jeni me diabet

o Jeni miop

o Keni përdorur rregullisht dhe për një kohë të gjatë kortizonikë

o Jeni dëmtuar më parë në sy

o Jeni mbi 45 vjeç

Diagnoza

Mjeku do të diagnostikojë glaukomën duke kontrolluar për humbje të shikimit fillimisht me anë të një tabele që bën të mundur vlerësimin e fushëpamjes, ai gjithashtu do të kryejë matjen e presionit intraokular (tonometri) dhe do të përdorë një lente të veçantë për të kontrolluar këndin e syrit. Më tej, pas hedhjes së disa pikave në sy për zgjerimin e pupilës, mjeku do të shohë brenda syve për shenja të dëmtimit të nervit optik.

Parandalimi

Aktualisht nuk ka një mënyrë për të parandaluar glaukomën, por trajtime të suksesshme për të parandaluar verbërinë që ajo mund të shkaktojë. Duke qenë se humbja graduale e pamjes në glaukomën kronike nuk mund të vërehet deri sa dëmi të jetë i madh dhe të jetë vonë, këshillohen vizita të rregullta tek okulisti, tonometria, vlerësimi i dilatacionit të nervit optik dhe kontrolli i fushëpamjes janë të rëndësishme veçanërsiht për personat me faktorë të lartë risku.