Giulio Andreoti ose “Il Imperatore” e kaloi gati një gjysmë shekulli nëpër gjyqe, ministër dhe disa herë kryeministër. Por kurrë nuk u shpall i fajshëm. Njëlloj si Ilir Meta, të paktën deri tani. Në kohën e Andreotit u rrit dhe lulëzoi “perandoria” e Toto Rinos, ndërsa libri i tij, thonë se është preferuari i Ilir Metës. Arriti gjithçka por dështoi të bëhej President i Republikës, njëlloj si Ilir Meta deri tani.
Ka një ligj në ligj. Prezumimi i pafajësisë. I pafajshëm deri sa të shpallësh i fajshëm. I tillë është Ilir Meta sot. Por jo mediat.
Ato dje treguan se nuk janë të pafajshme, nuk janë të lira, flasin dhe shkruajnë me leje, shkurt janë të kapura për të mos thënë të inkriminuara. Pas asaj që ndodhi dje me mediat shqiptare, aludimet se ka drejtor informacionesh që janë “qerasur” me pika karburantesh, botues gazetash që janë filmuar duke marrë para një herë për ta sulmuar Ilir Metën si të korruptuar e një herë për ta mbrojtur si “viktimë” e klaneve mediatike e politike, gazetarë që merrnin honorare nga emisioni ku ishin të ftuar, por dhe komunikonin me Katsriot Ismailajn për një “qerasje” në këmbim të zhbërjes se sulmeve të padrejta nda Ilir Metës, tashmë janë mese të besueshme. Dhe madje të provueshme. Janë të njëjtën që pasi i rikthyen “virgjërinë” Ilir Metës janë hedhur në sulm kundër Ben Blushit, vetëm pse ky i fundit vendosi t’i prishë rehatinë në parti Edi Ramës.
Po çfarë ka ndodhur dje?
Mediat vrapuan ta shpallin një letër avoketërish si një vendim gjykate ose si provë pafajësie. Jo vetëm kaq. Asnjë media nuk tentoi të kontaktonte rrjetin investigativ “BIRN”, e cila kishte publikuar investigimin ku pretendonte se kishte prova për implikimin e Ilir Metës në atë aferë.
Madje, botuan dhe transmetuan letrën e avoketërve të paguar nga qeveria shqiptare, pa treguar se çfarë kishte ndodhur që studio e avokatisë ishte detyruar të bënte këtë sqarim.
Madje edhe mediat që bënë jehonë investigimit të “BIRN” heshtën dhe vetëm promovuan “pafajësinë” e Ilir Metës. Edhe gazeta zyrtare e opozitës heshti, sigurisht kjo e fundit për axhendë politike. Nuk besojmë e blerë nga mazhoranca. Në rastin më të mirë për t’i treguar Ilir Metës se sulmin mediatik dhe ligjor e kishte dhuratë nga Edi Rama.
Ndryshe si mund të ndodhte që pas darkës Rama-Meta-Hysenbelliu-Kokëdhima, të gjitha mediat të ndryshonin kurs?
Si mund të ndodhte që portalet të cilat kulmin e klikimeve e kishin arritur me përplasjen Meta-Doshi, të mos kishin asnjë rresht për çfarë kishte ndodhur përpara letrës së studios së avokatëve të paguar nga qeveria shqiptare? Dhe po flasim për portale që festojnë kur i bien brekët gazetarit të tyre apo aq me keq kur ju dhunohet, vetëm e vetëm që të marrin vëmendje e më pas klikime.
Fakti që të gjitha mediat pas darkës së pajtimit Meta-Rama, po e trajtojnë Ilir Metën nga hajdut në “viktimë” qartësisht kuptohet se sulmi ndaj tij ishte i orkestruar nga Edi Rama. Dhe kthimi i kursit është po vullnet i kryeministrit të trembur nga aleati i tij i akuzuar.
Si përfundim, “BIRN” dhe Donald Lu dje kuptuan se jo vetëm drejtësia, por në radhë të parë mediat shqiptare janë të kriminalizuara. Vetëm “VOA” ju rikthye akuzave të “Birn”. E besoni? Edhe Spartak Ngjela heshti!!!
Marrë nga Syri.net





