Nënkryetari i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, ka reaguar pas përplasjeve në mbledhjen e Partisë Socialiste me strukturat e saj në Shkodër.

Përmes një postimi në “Facebook”, Alibaj akuzon qeverinë duke u shprehur se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore, nuk i përket qytetarëve, por ortakëve të Edi Ramës që blenë votat.

Alibaj shton se për Partinë Demokratike ndarja e politikës nga krimi është një prioritet kombëtar.

Reagimi i plotë:

Për Partinë Demokratike, ndarja e politikës nga krimi është një prioritet kombëtar. Prej kohësh, me fakte dhe prova, kemi paralajmëruar se si modeli i ndërtuar nga Edi Rama po përhapet si një tumor në indet e partisë që ai sundon dhe metastazat shtrihen në gjithë aparatin shtetëror. Debatet e publikuara në media nga mbledhja e PS-së së Shkodrës, konfirmojnë se pushteti i rrëmbyer me masakrën zgjedhore në bashkëpunim me krimin, nuk i përket qytetarëve, as socialistëve, por ortakëve të Edi Ramës që blenë vota, shantazhuan, dhunuan, dhe në këmbim marrin kontrollin mbi ato institucione që i shërbejnë më mirë interesave të tyre kriminale. Këto rrëfime janë prova më e qartë se si partneriteti i pakicës plaçkitëse Rama, Doshi, Rakipi, funksionin si një PPP korruptive dhe kriminale, në kurriz të familjeve shqiptare. Pak ditë më parë ata bashkuan mandatet e vjedhura për të konfirmuar ortakërinë e tyre parlamentare, jo për të zgjidhur çështjen e papunësisë, gjendjen e rëndë ekonomike apo korrupsionin që cënon të ardhmen e Shqipërisë, por për të nginjur babëzinë e tyre në dëm të qytetarëve. Përballja me këtë model është detyrë imperative për Partinë Demokratike dhe për shoqërinë shqiptare, sepse ç’kapja e shtetit nga krimi dhe korrupsioni janë e vetmja mënyrë për t’u dhënë fëmijëve tanë një të ardhme më të mirë.