KAVAJE – Një sherr për motive të dobëta mes katër personave në qytetin e Kavajës ka degjeneruar në përdorimin e armëve të ftohta ku si pasojë ka mbetur i vrarë Artur Kollçaku rreth 37 vjeç, ndërkohë që të plagosur janë shtetasit Sajmir Fiku, Elvis Kollçaku dhe Aldo Gryka. Dy të rinjtë Fiku dhe Gryka janë në gjendje kritike për jetën bëjnë të ditur burime spitalore të Durrësit. 

Ngjarja e rëndë është regjistruar rreth orës 20.30 të mbrëmjes në një lokal në Kavajë, në afërsi të ish fabrikës së Qelqit.

Ekspertët e kriminalistikës janë duke punuar për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes, që mendohet të ketë nisur pas një grindjeje për motive të dobëta.

Burime policore bëjnë të ditur se pas fjalëve, të rinjtë kanë kaluar në përdorimin e thikave, gjë që ka sjellë plagosjen e të tre personave, që janë dërguar urgjentisht drejt spitalit të Durrësit, ndërkohë që për Artur Kollçakun nuk mund të bëhej më asgjë, pasi humbi jetën në vendngjarje.