Asnjë prej drejtuesve të pushtetit vendor në Durrës, nuk lëviz më këmbë apo të bëjë shëtitje e vrap në natyrë. Nëse do të dilnin pak nga makinat e tyre, do të dinin se si është “katandisur” pjesa më e bukur e qytetit të Durrësit. Do dinin se trotuari i rrugës së shëtitores është jashtë funksioni tërësisht, e ka hyrë gati një metër në gjerësinë e rrugës Univerisitet-Currila. Do të dinin se në një pjesë të madhe është shkatërruar muri mbrojtës i rrugës, pllakat, gjithçka.
Më shumë se 1 muaj nga shkarja masive e dherave që përfshiu kodrën e Currilave, asnjë ndërhyrje nuk është bërë për dëmet e konsiderueshme. Janë qytetarët e Durrësit, por edhe turistët që e vërejnë më së miri këtë gjë. Shqetësimi vjen në këtë prag sezoni turistik që shetitorja rrëzë kodrës është e papërdorshme, për shkak të dëmtimit dhe jashtë funksioni ka dalë edhe trotuari, ku këmbësorët kishin mundësi për të bërë shëtitjet e tyre. Ata që merren me sport e dilnin vraponin në këtë zonë tani nuk kanë më asgjë, nga shëtitorja e bukur. Të gjithë qytetarëve të apasionuar pas natyrës e qetësisë, iu mungon pjesa më me vlerë e qytetit.
Reshjet e dendura të shiut të fillimmarsit bënë që rrëshqitjet e dherave të kodrës argjilore të jenë masive e të përfundojnë ashtu si dikur në trotuare, duke i bllokuar totalisht. Por as Ndërmarrja e Rrugëve apo e Pastrimit nuk kanë pastruar asgjë. E gjithë struktura e ndërtuar në dy vjet më parë ka ceduar dhe brezaret e ndërtuara kanë rrëshqitur disa metra së bashku me rrjetën prej teli.





