Pas më shumë se 3 javësh, kur nisi aksioni i pastrimit të vijës bregdetare në shëtitoren “Taulantia”, më në fund është realizuar largimi i leshterikut të depozituar në breg.

Pamjet e filmuara pasditen e sotme nga operatori Sokrat Toçi dëshmojnë se tashmë e gjithë sipërfaqja e rërës në këtë hapësirë publike mund të shfrytëzohet për të bërë banjo dielli apo për t’u larë në det.

Është mosha e tretë kryesisht që e frekuenton këtë plazh të improvizuar, pasi në mungesë të hapësirave të tjera publike në këtë zonë dhe në pamundësi për të paguar tarifën ditore të privatit, ata zgjedhin të pushojnë këtu.

“DurrësLajm” ngriti pak javë më parë shqetësimin e pensionistëve durrsakë, që detyroheshin të bënin plazh në një hapësirë që nuk plotësonte aspak kushtet minimale të higjenës.

Menjëherë më pas, nisi aksioni i pastrimit nga Ndërmarrja e Shërbimit Komunal dhe sot e gjithë kjo vijë bregdetare është e pastër dhe ofron kushte normale për frekuentuesit e plazhit.