Një plazh i improvizuar nga vetë pensionistët durrsakë, të detyruar të marrin rreze pranë pirgjeve me leshterikë. Kjo hapësirë, pavarësisht se nuk përmbush aspak kushtet për një plazh publik, është i vetmi vend ku mosha e tretë mund të bëjë plazh pa para në shëtitoren “Taulantia”.

“Zero kushte, askush se vë ujin në zjarr këtu. Eshtë turpi i botës”,- thotë një pensioniste.

“Bëjmë plazh nga halli, se kushtet janë shumë keq”,- thotë një tjetër pensionist.

Për mikrofonin e “DurrësLajm”, pensionistët shprehin indinjatën e tyre për faktin që ndihen të përjashtuar dhe të diskriminuar për të shfrytëzuar hapësirat e rërës, të zëna totalisht nga privatët.

Të bëjë plazh në shkallët e betonizuara apo mbi stolat e shëtitores është e vetmja alternativë për moshën e tretë. Me pensionet e ulta me të cilat mezi mbyllin muajin, pagesa 10 mijë lekë për shezllonet është tërësisht e papërballueshme për ta.

E vetmja hapësirë publike, që ndër vite është përdorur nga pensionistët dhe qytetarët për të bërë plazh, këtë vit është kthyer në plazh privat.

Ironikisht, njëri prej pensionistëve kujton filmin “Tomka dhe shokët e tij”, kur armiku i zuri fushën ku luanin. Këtë herë “armiku” ka zënë plazhin, me të cilin natyra e ka bekuar Durrësin!

Shumë prej tyre madje refuzojnë të flasin para kamerës, sepse ndihen të pashpresë se problematika që ngrejnë do të marrë zgjidhje.

Çdo ditë, në shëtitoren “Taulantia” sheh me dhjetëra pensionistë që bëjnë plazh tek shkallët e Sfinksit apo në hapësirën e rërës pranë pistës, ku kushtet higjenike lënë shumë për të dëshiruar. Apeli i vetëm i tyre drejtuar autoriteteve është: Më tepër respekt për moshën e tretë dhe më shumë pastërti!

Këtë vit, lejet e shfrytëzimit të hapësirave të rërës u dhanë nga e-Albania, duke përjashtuar bashkinë Durrës nga ky proces.

Ndër vite, qytetarët janë ankuar që detyrohen të paguajnë për të bërë plazh, pasi e gjithë vija bregdetare zihet nga privatët, por ankesat kanë rënë në veshin e shurdhët të autoriteteve.  

M.B.