Kështu është konsideruar atleti legjendar Pietro Mennea. Ai është lindur në qytetin Italian të Barletës me 28 qershor 1952. Në moshën 20 vjeçare, në lojërat olimpike të Mynihut, fiton medaljen e bronzit në vrapimin e 200 metrave. Dhe në kuadrin e lojërave olimpike, është fitues i medaljes së artë në Moskë në vitin 1980 në garën e tij të preferuar të 200 metrave. Por ajo që do t’i jepte impuls famës së tij për ta bërë të përjetshëm, është thyerja e rekordit botëror në garën e 200 metrave në vitin 1979 në Meksiko. Rekordi i tij u fiksua 19”.72 dhe mbahej nga Tomi Smith që nga viti 1968. Pas 17 viteve këtë rekord e përmirësoi atleti fenomenal amerikan Majkëll Xhonson. Në kuadrin e kampionateve evropiane Menea është fitues i 3 medaljeve të arta në 100 dhe 200 m, ndërsa në lojërat Mesdhetare i 5 të tillave. Ai është tërhequr nga atletika në vitin 1988, ndërsa fama e tij mbetet e pashuar edhe sot e kësaj ditë.

Pikërisht këtë legjendë të atletikës botërore, e priti në mesjavën e kaluar në Durrës kryebashkiaku i këtij qyteti Vangjush Dako. Me këtë rast zoti Dako, i akordoi Pietro Menneas titullin “Nderi i Qytetit të Durrësit” më këtë motivacion:” Njeriut që me vullnetin dhe talentin e tij të jashtëzakonshëm, vërtetoi se energjia njerëzore nuk ka kufij”. Mennea nga ana e tij i dhuroi kryebashkiakut Dako bluzën sportive ku ishte stampuar rekordi i tij në 200 metra si dhe një libër që pasqyron karrierën e famshme sportive të legjendës së atletikës. Në këtë takim miqësor, u bisedua për marrëdhëniet miqësore që ekzistojnë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë. Një kohë e konsiderueshme iu kushtuar edhe krijimit të mundësitë konkrete të bashkëpunimit në fushat sportive e veçanërisht në atletikë, ndërmjet Durrësit dhe shtetit fqinj të Italisë. Pietro Menea u ndodh në Shqipëri në kuadër të një kupe vënë për nder të tij, që mori përmasat e një turneu ndërkombëtar atletike me pjesëmarrjen e 150 atletëve.