Finalizohet operacioni policor i koduar “Kompleks”, i zhvilluar nga Stacioni i Policisë Rrogozhinë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Elbasan.
Arrestohet një 41-vjeçar nga Elbasani, i cili u kap në flagrancë në Rrogozhinë, duke vjedhur 2 milionë lekë të vjetër në një dyqan veglash pune.
Operacioni ka vijuar në Elbasan dhe si rezultat, në banesën e 41-vjeçarit, Policia e Elbasanit gjeti dhe sekuestroi 2.8 kg cannabis sativa si dhe asgjësoi disa bimë narkotike që u gjetën të kultivuara përreth kësaj banese në fshatin Bizhutë, njësia administrative Papër, Elbasan.
Ndërkaq, mbi dyshime për implikim në kultivimin e bimëve narkotike, u proceduan penalisht nga Policia e Elbasanit, vëllai dhe motra e 41-vjeçarit, si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër (lidhje shoqërore e 41-vjeçarit).
Në kuadër të operacionit “Kompleks”. Policia e Rrogozhinës arrestoi në flagrancë shtetasin Gj. S., 41 vjeç, banues në Elbasan. Ky shtetas u kap në flagrance në lagjen nr.1, në Rrogozhinë, në një dyqan, duke vjedhur materiale ndërtimi dhe një shumë parash (200 000 lekë).
Operacioni ka vijuar në Elbasan, në fshatin Bizhutë, njësia administrative Papër, ku Policia e Elbasanit kishte marrë informacion më parë se 41-vjeçari merrej me kultivim dhe prodhim të narkotikëve.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, rreth 2.8 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, dhjetëra fara të bimës narkotike cannabis sativa, fishekë luftarak dhe mbi 53 000 lekë të valutave të ndryshme, të dyshuar të përfituar në mënyrë të kundërligjshme.
Gjithashtu, përreth banesës së 41-vjeçarit, u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike. Mbi dyshime për bashkëpunim me shtetasin Gj. S., për kultivimin e këtyre bimëve, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit B. S., 50 vjeç dhe T. S., 32 vjeçe (vëllai dhe motra e shtetasit Gj. S.), si dhe u shpall në kërkim shtetasi G. Sh., 24 vjeç (lidhje miqësore e shtetasit Gj. S.). Policia vijon punën për kapjen e 24-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.