RUSI, 15 shkurt 2013 – Lideri rus i Partisë Liberal-Demokrate, Vladimir Zhirinovski, mendon se nuk ka pasur asnjë rënie të fragmenteve të meteoritit në Urale, por në fakt ishin amerikanët që provonin armët. Pak orë pasi në Urale u konstatua shiu i meteoritëve, nga i cili mbetën të plagosur rreth 400 persona Zhirinovski deklaroi se prapa kësaj nuk qëndrojnë fenomene natyrore, por testimet e armëve të amerikanëve. 

"Nuk ishin meteoritë ato që ranë, por ishte testimi i armës së re të amerikanëve. John Kerry (Sekretari Amerikan i Shtetit) donte të paralajmëronte Rusinë ditën e hënë dhe kërkoi të kontaktonte me ministrin e jashtëm, Sergei Lavrov, por ky i fundit ndodhej në një udhëtim jashtë vendit. Kerry ka dashur të paralajmërojë lidhur me faktin se do të kishte një provokim të tillë dhe ai mund të prekte Rusinë", – u shpreh për gazetarët Vladimir Zhirinovski, i njohur për deklaratat e tij të egra.