Pas humbjes në Korçë, te Teuta nuk kanë kohë të pushojnë, pasi ndeshja me Tiranën është te dera. Për durrsakët, sfida në kryeqytet shihet si një minifinale për mbijetesën. Në këto kushte, trajneri Gugash Magani ka kërkuar menjëherë që lojtarët të përqendrohen te ky takim, që do të thotë shumë për ecurinë e mëtejshme në kampionat.Mbrojtësi Silvester Shkalla, i cili u aktivizua në pjesën e dytë ndaj Skënderbeut, flet për ndeshjen e humbur në Korçë dhe atë kundër Tiranës që do të luhet të hënën.

“Në ndeshjen e Kupës humbëm minimalisht dhe kjo mendoj se favorizon ekipin korçar, por ju siguroj që nuk i kemi humbur shpresat për kualifikim në finale. Ai gol që pësuam ishte me peshë, por ne do të luajmë edhe 90 minuta ndaj Skënderbeut. Pse jo, do të tentojmë të kalojmë në finale. Ashtu siç fitoi kundërshtari, mund të fitojmë dhe ne. Asgjë nuk është e pamundur në futboll, aq më tepër që luajtëm mirë dhe humbëm me të vetmen goditje në portë. Tani duhet të fokusohemi te ndeshja e radhës në kampionat me Tiranën. Ekipi kryeqytetas nuk po kalon një formë të mirë, por duhet shumë kujdes. Është një kundërshtar, i cili u ka marrë pikë kryesuesve dhe ka në përbërje lojtarë, të cilët mund të të ndëshkojnë në momente kur nuk e pret. Kemi parë që ndaj Partizanit apo Skënderbeut janë shndërruar në ekip që lufton për çdo top. Kjo do të jetë një ndeshje, e cila do të luftohet deri në minutën e fundit, për vetë pozitat që kemi si Teuta apo edhe Tirana, e cila e sheh veten pas nesh në këtë fazë”, ka përfunduar mbrojtësi shtatlartë, Shkalla.