DURRES– Një rrjet që trafikonte armë dhe municione luftarake ndërkombëtare, është goditur mbrëmjen e djeshme nga Polica e Durrësit. Një person është arrestuar dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim për trafik ilegal armësh.
Sipas policisë tre armë automatike dhe katër karikatorë, me nga 30 fishekë secili, janë sekuestruar në automjetin me targa të Kavajës 7474 A, i cili drejtohej nga 23-vjeçari Selim Kaja, nga fshati Stan i Ri i Golemit, Kavajë.
Policia tha se armët u gjetën të fshehura poshtë ndenjëses së pasme të automjetit që po tentonte të imbarkohej në një nga tragetet e linjës Durrës-Bari.
Unifromat blu thanë se dyshohet se në këtë trafik ndërkombëtar armësh janë dhe dy shtetas të tjerë, nga të cilët i riu ka marrë armët. 29-vjeçari Jak Xhepa nga Lushnja dhe me banim në Itali dhe Hamdi Gjuzi 55 vjeç nga Mankuria, të cilët tanimë janë shpallur në kërkim.