SHKODER, 28 prill 2013 – Partia Socialiste ka shtuar sot rradhët me 200 mbështetës të rinj, të cilët kanë deklaruar gjatë një takimi me kryesocialistin Edi Rama se megjithëse janë të djathtë ata ndihen të zhgënjyer nga qeverisja e mazhorancës.

Ish-themelues, drejtues dhe mbështetës të PD-së në Shkodër kanë bërë të ditur se programi i PS-së për një Rilindje Shqiptare, është e vetmja mundësi për ta nxjerrë vendin nga kriza.

Duke shprehur zhgënjimin e tyre të thellë për qeverisjen 8-vjeçare të PD-së, përfaqësuesit e të djathtës kanë theksuar në fjalët e tyre se nuk janë ata që po e tradhtojnë PD-në, por është kjo e fundit dhe qeverisja e saj që ka lënë në mëshirë të fatit të djathtën dhe gjithë Shqipërinë. 

Kryetari i PS Edi Rama nga ana e tij nënvizoi se Partia Demokratike është përgjegjëse për transformimin e pushtetit të popullit sovran në pushtetin e një oborri familjarësh dhe klientësh në biznes të kryeministrit.

“Sot Partia Demokratike nuk ka asgjë çfarë t’ju thotë të djathtëve shqiptarë, sepse ata që u vranë, u burgosën, u persekutuan u trajtuan si qytetarë të dorës së tretë. Në 23 qershor të djathtët nuk do të bëhen socialistë, por do të votojnë Partinë Socialiste në mënyrë që t’i japin mundësi edhe PD-së që të rilindë, duke dalë në opozitë, duke u çliruar nga ky matuf komunist që e ka marrë peng, që i tregon çdo ditë Shqipërisë përralla nga ato që do të bënte botën të qeshte”,- tha Rama.