Një udhëtim në botën e magjishme të muzikës dhe kinematografisë botërore. Kështu ishte konceptuar koncerti “Muzika në kinematografi” i organizuar nga shkolla artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës.
Disa nga kolonat zanore më të famshme të filmave të Hollivudit dhe jo vetëm ishin përzgjedhur nga mësuesit dhe nxënësit e ciklit të mesëm të kësaj shkolle për të sjellë para prindërve dhe artdashësve durrsakë një repertor mjaft cilësor dhe të interpretuar plot virtuozitet nga të gjithë instrumentistët.
“Me këtë koncert hapim stinën koncertore pranverore. Është një program mjaft i ngjeshur. Ky koncert i parë titullohet “Muzika në kinematografi”, është i përgatitur nga nxënësit e shkollës dhe mësuesit.”,- deklaroi drejtoresha e shkollës, Adriana Gjepali.
“Bëhet fjalë për muzikë që ka lënë gjurmë në të gjithë historinë e muzikës botërore. Kur flasim për Ennio Morricone-n kemi parasysh kolosin e madh, kemi gjithashtu kompozitorin e njohur Hans Zimmer, por edhe muzikë të filmave shqiptarë. Kemi kompozitorin tonë të mirënjohur durrsak Hajk Zaharian, si dhe muzikë nga filma që kanë fituar çmimet Oskar etj”- tha dirigjenti Orges Mema.
Për 3 muaj me radhë, nxënësit e ciklit të mesëm, së bashku me mësuesit e instrumenteve, kanë zhvilluar prova intensive për t’u përgatitur sa më mirë për koncertin. Për vetë nxënësit, interpretimi përkrah mësuesve të tyre, është një përgjegjësi edhe më e madhe.
Për mbi një orë, skena e sallës Black Box jehoi nga tingujt e muzikës së përbotshme dhe duartrokitjet e publikut, i cili mirëpriti çdo kolonë zanore që u interpretua me mjaft mjeshtëri nga mësuesit dhe instrumentistët e shkollës “Jan Kukuzeli”.
M.B.





