Është rritur bilanci i dasmorëve që shkojnë me simptomat e helmimit në spitalin rajonal të Elbasanit. Ata kanë qenë të pranishëm në 2 dasma të ndryshme. Mes të helmuarve në spital ndodhet edhe dhëndri.

Luan Rrapi, nëndrejtor i spitalit, ka thënë se në urgjencë kanë shkuar 44 persona, mes tyre edhe fëmijë ndërsa 31 prej të helmuarve janë shtruar në spital.

"Helmimi ka ndodhur të shtunën dhe të dielën. Pacientët kanë qenë në të njëjtin lokal në 2 dasma.Ka disa të shtruar. Gatishmëria e spitalit është 100%. Deri tani ka 31 persona të shtuar, si edhe 2 fëmijë në pediatri. 3 persona i kemi dërguar në Tiranë dhe 8 raste kanë marrë mjekim ambulator. Që prej orës 1 nuk ka patur më fluks pacientësh."

Policia e Elbasanit është duke ndjekur që prej ditës së djeshme ngjarjen me helmimin në dy dasma. Ende nuk ka një shpjegim zyrtar për ngjarjen, ndërkohë që mësohet se janë marrë disa kampione nga ushqimi  që ndodhej në lokal për të mësuar çfarë e ka shkaktuar helmimin e pacientëve.