3korrik 2015 – Dikur shokë gjimnazi, sot përballë njëri-tjetrit në gjykatë. Takimi është i rastësishëm, kur 49-vjeçari Artur Booth, ishte i arrestuar për grabitje dhe kundërshtim të policisë, ndërsa shoqja, Mindi Glazer, gjyqtare. Historia e rrallë u regjistrua nga kamerat e gjykatës, në Florida, duke u bërë hit në rrjetet sociale. Gjyqtarja lexon emrin e të pandehurit dhe më pas e pyet: “Zoti Booth, a keni qenë në shkollën e mesme në Nautilus?” Atëherë i arrestuari reagoi: “O zot, o zot”, duke e njohur shoqen e dikurshme të klasës. Gjyqtarja ka vazhduar më tej, duke treguar se dikur shoku i saj ishte nxënësi më i mirë dhe i dashur, duke shtuar se shpreson se jeta më pas do të jetë më e mirë për të.