TIRANË – Shoqëria Civile shqiptare i kërkon nëpërmjet një letre Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, që të ndërhyjë për të marrë masa ndaj Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së Vuk Jeremiç. Letra e firmosur nga drejtuesi i organizatës Forumi i Mendimit të Lirë, Mentor Kikia, në datën 9 Shkurt ka mbërritur në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Z.Ban Ki Moon.

Në letër kërkohet që zoti Jeremiç të kërkojë falje publike e zyrtare si dhe të japë dorëheqjen nga posti i tij si President i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, pasi lejoi që në një koncert të mbajtur me nismën e tij në OKB të luhej një pjesë muzikore nga “Marshi mbi Drin”, kolonë muzikore që shërbeu si himb ndaj masakrave në Srebrenicë. 

“Në datën 14 Janar 2013, ditën e parë të Vitit të Ri tradicional ortodoks, me nismën e presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ish-ministrit të jashtëm serb Vuk Jeremic, u mbajt një koncert në Sallën Plenare të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së. Por, në vend të Marshit të Paqes, në këtë koncert u interpretua pjesa muzikore “Marshimi mbi Drin”, një kolonë muzikore që shërbeu si himn i ushtrisë dhe kriminelëve serbë gjatë genocidit serb ndaj popullit në Bosje dhe veçanërisht gjatë rrethimit dhe masakrës famëkeqe të Srebrenicës. Ky veprim i Vuk Jeremicit, shkaktoi një indinjim të thellë në mesin e popujve që kanë qenë viktima të genocidit serb dhe Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki Moon kërkoi ndjesë publike dhe zyra e tij njoftoi se ai personalisht nuk kishte dijeni se çfarë përfaqësonte kjo pjesë muzikore dhe se në kujtesën e popujve të Ballkanit ajo lidhje me masakrat etnike të ushtrisë serbe",- thuhet në letër. 

Vetë Jeremiç, ideatori i futjes së kësaj pjesë muzikore, jashtë programit zyrtar të koncertit në OKB, nuk ka kërkuar asnjë ndjesë publike e madje përmes një deklarate i ka cilësuar reagimet e shoqatave për të drejtat e njeriut dhe atyre kundër genocidit si dashakeqe dhe fyese për popullin serb. 

Koncerti i 14 Janarit në OKB shkaktoi një reagim të shoqërisë civile në Bosnje dhe Kosovë, shtete këto të cilat iu drejtuan përmes peticioneve Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Ban Ki Moon, që të ndërhyjë për të marrë masa ndaj Presidentit të Asamblesë së Përgjithshëm të OKB-së, Vuk Jeremic. Këtij reagimi civil e qytetar i është bashkuara edhe shoqëria civile shqiptare. 

Organizata Forumi i Mendimit të Lirë, me mbështetjen e mbi 50 organizatave të tjera në Shqipëri, si dhe një grupi gazetarësh, i është drejtuar me një letër Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, përmes të cilës kujton se këto veprime të zotit Jeremiç nuk janë të shkëputura, por të paramenduara. Në letrën e drejtuar, zotit Ban Ki Moon kujtohet se Vuk Jeremiçi, deklaratën e parë që bëri sapo u zgjodh në krye të AP të OKB-së ishte: Tashmë Kosova do të njihet nga OKB-ja, vetëm po të kalohet mbi kufomën time”. 

Jeremiç cilësohet në këtë letër si përfaqësuesi i rrymave më të errëta nacionaliste në Serbi dhe ai është një turp për vetë Kombet e Bashkuara. 

Letra është e firmosur nga drejtuesi i organizatës Forumi i Mendimit të Lirë, Mentor Kikia dhe përmes zyrës së Kombeve të Bashkuara në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, në datën 9 Shkurt ka mbërritur në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Z.Ban Ki Moon.