Njërit prej gjyqtarëve që shpëtoi Dritan Dajtin nga burgimi i përjetshëm i janë gjetur në shtëpinë që ka në Tiranë një shumë prej 20 000 eurosh si dhe municione luftarake. 

Kësisoj, gjyqtari Skënder Damini është shoqëruar në policinë e Tiranës. 

Shuma e parave u gjet pas kontrolleve që janë kryer mëngjesin e sotëm nga forcat e policisë në banesat e tre gjyqtarëve që zbutën dënimin për Dritan Dajtin në Apelin e Krimeve të Rënda.

Ndaj tre gjyqtarëve që vendosën të shpëtonin nga burgimi i përjetshëm Dritan Dajtin, Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur procedim penal. Për gjyqtarin në Gjykatën e Apelit në Vlorë, Skënder Damini, Petrit Aliajn gjyqtar në Gjykatën e Apelit të Vlorës, dhe Aleks Nikolla gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkodër, ka nisur procedimi për veprën penale korrupsion aktiv të gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të lartë të drejtësisë, dhe shpërdorim të detyrës.

Vendimi në favor të vrasësit të katër efektivëve të policisë u quajt nga kryeministri Edi Rama një akt kriminal, ndërsa ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, kërkoi shkarkimin e gjyqtarëve.