Të jesh president i Shteteve të Bashkuara sigurisht që është një punë e vështirë. Fushata për këtë post kërkon shumë vite, nëse e fiton si pozicion ndiqen një sërë rregullash dhe protokollesh, ku përfshihet edhe ndryshimi i shumë gjërave që bëjnë në përditshmëri. Patjetër që ka përparësi, që nga jeta në Shtëpinë e Bardhë e deri te pushteti apo paga vjetore prej 400 mijë dollarësh. Po a e dini se cilat janë gjërat që ata duhet t’i mbulojnë vetë financiarisht?
Blerja e ushqimeve

Edhe pse Shtëpia e Bardhë ka një shef kuzhine, Presidenti dhe familja e tij duhet të paguajnë për produktet ushqimore. Ish-Zonja e Parë Michelle Obama konfirmoi në vitin 2018 se “është pak shokuese, sepse askush nuk të përgatit për këtë”. Por për ish-Presidentin Obama, kjo gjë ishte mëse e drejtë.
Rrobat me porosi
Nëse Kreu i Shtetit apo Zonja e Parë dëshirojnë një veshje të personalizuar, duhet ta paguajnë me paratë e tyre. Sigurisht që mund të marrin shumë veshje dhuratë, por këto të fundit duhen dhënë për donacion pasi i veshin një herë. Këtu përfshihen edhe fustanet apo kostumet e shtrenjta për evente madhështore. E njëjta gjë vlen edhe për pastrimin kimik të rrobave. Presidenti ka një pikë të caktuar që i çon rrobat në Washington D.C.

Stafi për festa private
Sa herë që një President mban një festë private në Shtëpinë e Bardhë, është përgjegjës për çdo kosto, që nga kamarierët e deri te pastrueset. Edhe eventet private jashtë këtyre ambienteve janë terësisht nën përgjegjësinë personale.

Dhuratat për homologët apo personazhe të tjera të politikës
Kur zhvillohen takime bilaterale, zakonisht krerët e shteteve japin ndonjë dhuratë. Kjo e fundit në Amerikë, paguhet nga xhepi i Presidentit gjithmonë!

Pushimet
Kur një President shkon me pushime, ata duhet të paguajnë për akomodimin në hotel apo shtëpi. Po ashtu për ushqimin! Megjithatë, kostot për sigurinë dhe udhëtimin janë të mbuluara nga shteti.

Parukierët
Gruaja e Ish-Presidentit George Bush kujdesej shumë për flokët e saj. Kështu, ajo punësoi një parukier personal për t’u dukur perfekte çdo ditë. Ama, lekët i pagoi burri nga xhepi i tij!

Artikuj të përgjithshëm në shtëpi
Gjërat kryesore që duhen për jetesën si letrat e tualetit, pasta e dhëmbëve apo qeset plastike duhen paguar nga xhepi i tyre. Ndërsa fatura të tjera apo ceremoni, janë kosto që mbulohen indirekt nga taksapaguesit amerikanë.

Dekori i brendshëm
Kongresi jep fonde për kujdesin, riparimet apo mirëmbajtjen në tërësi të Shtëpisë së Bardhë. Por, nëse tejkalohet shuma e caktuar që shkon për këtë gjë, familja presidenciale e paguan vetë. Edhe në rast se duan të dekorojnë shtëpinë, këto i mbulojnë personalisht. Përshembull, në 2017-ën, në mediat e huaja u raportua se Trump kishte shpenzuar plot 1.75 milionë dollarë për mobilje të reja në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa Obama kishte shpenzuar 1.5 milionë dollarë.

Fatura për procese ligjore
Për çështje të tij ligjore, Presidenti duhet të kujdeset vetë. Ishte rasti i kundërt i Bill dhe Hillary Clinton, që e lanë Shtëpinë e Bardhë me 16 milionë dollarë borxh. Thuhet se në presidencën e tij 8-vjeçare ato para kishin shkuar për pagesa të ndryshme ndaj avokatëve apo për të mbuluar skandale e procedura ligjore të nisura ndaj Clinton.

Faturat në shtëpinë e thjeshtë
Edhe pse 4 vite ata nuk jetojnë në shtëpinë e përhershme, vijojnë me pagesat e nevojshme. Përshembull, Obama kishte shtëpinë e tij në Chicago teksa ndodhej në zyrën e rëndësishme dhe vijonte t’i qëndronte rigoroz faturave njëjtë si më parë.
