Një cisternë karburanti shpërtheu gjatë natës në Nigerinë veriore, duke vrarë të paktën 147. Dhe rreth 100 persona të tjerë të plagosur nga shpërthimi janë dërguar në spital në qytetin e afërt të Ringim në shtetin Jigawa, shumë prej tyre janë në gjendje kritike. Gjithashu zyrtarët kishin paralajmëruar njerëzit që të mos i afroheshin cisternës pas aksidentit vonë të martën mbrëma, por ata nuk ishin në gjendje të frenonin turmën në rritje.
“Ne u përpoqëm të ndalonim njerëzit që shkonin në automjet për të marrë benzinë, por pavarësisht rrethimit të zonës, ne u mposhtëm dhe ndërsa njerëzit po grumbullonin karburant, shpërtheu zjarri. Përplasja ndodhi në qytetin Majia në shtetin verior të Jigawa rreth orës 23:30 me orën lokale (22:30 GMT). Cisterna e karburantit po vinte nga Kano dhe po shkonte për në Nguru në shtetin Yobe kur shoferi humbi kontrollin e automjetit,” tha zëdhënësi i policisë Lawal Shiisu Adam.
“Shumë prej viktimave janë djegur përtej njohjes. Trupat e gjetur janë mbuluar nga degë pemësh për tu mbrojtur nga shikuesit. Punonjësit e shpëtimit kanë gjetur trupa të tjerë disa në një distancë të konsiderueshme nga vendi i aksidentit. Ata me sa duket po përpiqeshin të merrnin ndihmë përpara se t’i dorëzoheshin plagëve të tyre,” tha një zëdhënës i policisë për BBC.
Shumica e të vdekurve janë varrosur në një ceremoni masive. Shpërthimet dhe aksidentet e cisternave të karburantit janë të zakonshme në Nigeri shpesh të shkaktuara nga gjendja e keqe e rrugëve dhe automjetet e mirëmbajtura keq. Ndërsa operacioni i pastrimit po zhvillohej në Jigawa, ndodhi një tjetër aksident i cisternës së karburantit në shtetin jugperëndimor Ogun në qytetin Ibafo.
Ajo u përmbys mëngjesin e së mërkurës në një rrugë kryesore përballë një banke tregtare, duke derdhur benzinë përpara se të shpërthejë në flakë. Zjarri ka përfshirë zonën duke dëmtuar kamionë të tjerë. Askush nuk u lëndua nga incidenti, por vlerësohet të ketë shkaktuar dëme në vlerë prej mijëra dollarësh. Në shtator, 59 persona vdiqën në shtetin Niger të Nigerisë pasi një cisternë karburanti u përplas me një kamion që transportonte pasagjerë dhe bagëti.