Bota e futbollit brazilian është në një gjendje të trazuar. Ata sapo kanë parë yllin e tyre të ardhshëm, Endrick, të prezantohet në skenën evropiane, por gjithashtu kanë ndjekur dy nga lojtarët e tyre më të shquar të dy dekadave të fundit të dënohen për përdhunim.

Rastet e Dani Alves dhe Robinho sjellin detaje të përziera dhe shkatërrojnë plotësisht reputacionin e të dy lojtarëve.

Një nga shokët e tyre në ekipin kombëtar, Felipe Melo, ka shpërthyer në kritika ndaj tyre kur u pyet nga media braziliane Globo Sporte.

“Unë kam një vajzë 15 vjeç. Nëse do ta kishin bërë këtë me vajzën time, nuk mendoj se do të isha këtu për të dhënë këtë intervistë. Unë besoj se ne duhet të respektojmë qeniet e tjera njerëzore, ne duhet të respektojmë gratë, ne duhet të respektojmë burrat… ata duhet të paguajnë për atë që kanë bërë. Dhe le të shërbejë si mësim që të mos e bëjnë të tjerët. Kjo është shumë serioze”.

Melo bëri 22 paraqitje për Brazilin nga viti 2009 deri në vitin 2010 dhe ishte shok skuadre me Alves dhe Robinho. Ai ka kaluar një pjesë të madhe të karrierës së tij në klub duke luajtur për ekipet braziliane.

Ai është pjesë e Fluminense që nga viti 2022 dhe vazhdon të bëjë paraqitje të rregullta edhe pse tani është 40 vjeç.

Ndërkohë në Europë është aktivizuar me ekipe si  Mallorca, Almería, Fiorentina, Juventus, Galatasaray dhe Inter.