Shpërthim me tritol në biznesin e 33-vjeçarit nga Shijaku Arlind Lala.

Mbrëmjen e së dielës, më 10 shtator, rreth orës 22:30, në lagjen “Petrit Llaftiu” në Shijak, në shkallët e jashtme të klinikës dentare në pronësi të shtetasit A.L. 33 vjeç persona të paidentifikuar kanë vendosur një sasi të vogël lënde plasëse, njofton sot policia.

Lënda plasëse ka shpërthyer dhe për pasojë janë thyer vetëm xhamat e derës hyrëse të klinikës dentare.

Mësohet se 33-vjeçari Arlind Lala është pronari i inceneratorit, fabrikës që merret me përpunimin e mbetjeve spitalore dhe të kafshëve të ngordhura.

Pesë ditë më parë, banorët e Shijakut u ngriën në protestë kundër funksionimit të kësaj fabrike, pasi sipas tyre, ajo shkakton ndotje të madhe mjedisore duke u vënë në rrezik shëndetin.

Nuk dihet nëse vënia e eksplozivit është një paralajmërim për pronarin e firmës në lidhje me ngjarjen e pak ditëve më parë, ndërkohë që hetimet vijojnë. Është ngritur grupi hetimor, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.