Autoritetet ekuadoriane kanë goditur një organizatë të dyshuar kriminale që siguronte të ardhura përmes shpimit të paligjshëm të tubacionit të naftës Quito-Santo Domingo-Esmeraldas dhe trafikimit të derivateve të hidrokarbureve.
Mediat e huaja bëjnë me dije se Prokuroria e Përgjithshme e Ekuadorit, ka deklaruar se 16 persona mes tyre një polic në detyrë dhe katër të burgosur, janë vënë nën akuzë pas një operacioni të zhvilluar në disa provinca të vendit. Hetimet kanë zbuluar se grupi kishte të paktën 19 anëtarë dhe funksiononte me një strukturë të organizuar, me role të ndara mes pjesëtarëve.
Sipas dosjes hetimore, organizata përdorte metodën e quajtur ‘Pinchazo’, duke shpuar fshehurazi tubacionet për të nxjerrë karburant, i cili më pas transportohej dhe shitej ilegalisht në qytete si Guayaquil, Esmeraldas dhe Machala. Hetimi nisi në vitin 2025 pas sinjalizimeve për aktivitetin e grupit kriminal.
Lidhjet me mafian shqiptare
Raporti gjithashtu theksonte se organizata kishte lidhje të dyshuara me mafien shqiptare, një rrjet kriminal që hetohet për vrasje, vrasje me pagesë, pastrim parash, zhvatje, trafik droge dhe armëmbajtje të paligjshme. Përveç kësaj, raporti paralajmëronte se disa prej anëtarëve të organizatës mund të ishin të lidhur me disa vrasje të bujshme që kanë tronditur opinionin publik në Ekuador.
Për të vërtetuar këto aktivitete, Prokuroria përdori teknika speciale hetimore, të autorizuara nga një gjyqtar, si dhe ndjekje, survejim dhe analiza të të dhënave të nxjerra nga pajisje elektronike. Rezultatet e hetimit bënë të mundur identifikimin e strukturës së grupit dhe kërkesën për lëshimin e urdhrave të arrestit ndaj anëtarëve të tij.
Një nga zbulimet e hetimit ishte se katër nga personat e identifikuar si drejtues të organizatës po vuanin tashmë dënimin në Qendrën e Paraburgimit në Esmeraldas. Megjithatë, sipas Prokurorisë, ata vazhdonin të jepnin urdhra dhe të koordinonin aktivitetet e organizatës nga brenda burgut.
Hetuesit i lidhin gjithashtu ata me grupin kriminal Los Tiguerones.
Gjatë kontrolleve, autoritetet sekuestruan: telefona celularë; pajisje saldimi të përdorura për të ndërhyrë në infrastrukturën e tubacioneve të naftës, dhe dokumente që lidhen me aktivitetet kriminale nën hetim. Të gjitha provat u sekuestruan dhe u futën në zinxhirin e ruajtjes së provave për t’u përdorur në procesin penal.
Në seancën për ngritjen e akuzave, prokurori paraqiti raporte hetimore, procesverbale arrestimi, provat e mbledhura gjatë kontrolleve dhe rezultatet e ekspertizave të kryera gjatë më shumë se një viti hetimesh. Bazuar në këto prova, gjyqtari i specializuar për çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar urdhëroi arrest me burg për të 16 të pandehurit.





