Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit me Eni S.p.A. për studimin e fizibilitetit të krijimit të kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se projekti lidhet me ambicien e qeverisë për të krijuar një operator të ri modern në tregun e hidrokarbureve, i cili do të ketë edhe një rol rregullues në funksion të interesit të konsumatorëve.
“Dua të kujtoj se kohë më parë në fillimet e këtij mandati të ri, kemi ndarë me publikun ambicien për të krijuar një forcë të re në tregun e hidrokarbureve, një operator modern dhe dinamik që të bëjë edhe rolin e një rregullatori të tregut në funksion të mundësive më të mira për konsumatorin. Gjatë rrugës, na u shfaq një krizë shumë domethënëse që përsëri vuri në diskutim çështjen e rezervave strategjike të naftës që ne i kemi, sigurisht, të rregulluara me një kuadër ligjor. Nga ana tjetër, duke pasur parasysh pikërisht këtë marrëdhënie të veçantë strategjike me Italinë dhe raportin e afërt të bashkëpunimit me Eni që është një gjigant global në tregun e hidrokarbureve, por njëkohësisht potencë e madhe që ka edhe prezencën e vet në Shqipëri”, tha ai.
Sipas Ramës, operatori i ri do të marrë përsipër edhe krijimin e rezervave strategjike të naftës, duke bërë që vendi të jetë më i përgatitur për t’u përballur me kriza të mundshme në të ardhmen.
“Folëm për një bashkëpunim strategjik me krijimn e këtij operatori të ri që do të marrë përsipër edhe krijimin e rezervës strategjike të naftës. Shqipëria s’do të ketë më asnjë dilemë për çfarëdo krize që vjen përpara. Kemi nisur një proces dialogu që na ka sjell sot në firmosjen e këtij hapi të parë në zyrtarizimin e procesit të kompanisë”, tha Rama.
Ai bëri të ditur se procesi i bashkëpunimit me kompaninë italiane ka hyrë tashmë në një fazë konkrete dhe se synimi është që regjistrimi i kompanisë së re të përfundojë përpara muajit gusht.





