Deri në fund të vitit 2025 numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri arriti në 32,163 shtetas. Krahasuar me vitin paraardhës numri i shtetasve të huaj u rrit me 46.6%.
Të dhënat për numrin e lejeve të qëndrimit të të huajave u publikuan nga INSTAT.
Sipas të dhënave shtetasit e huajt nga Europa të pajisur me leje qëndrimi, përbëjnë pjesën më të madhe të të huajve. Numri i tyre deri në fund të 2025-s ka arritur në 17,022 shtetas të huaj apo duke përbërë 52,9 % të totalit. Numri i europianëve ka shënuar një rritje prej 18,5 %, krahasuar me 2024-n;
Edhe shtetasit nga Azia gjithashtu kanë shënuar rritje të ndjeshme me 117,6 %, krahasuar me 2024. Numri i tyre arriti në 9,891 persona. Numri i shtetasve nga Amerika, Afrika dhe Oqeania arriti në 5,250 persona me rritje me 73,4 %, krahasuar me 2024.
Punësimi mbetet arsyeja kryesore e qëndrimit të shtetasve të huaj në Shqipëri. 55,1% e lejeve të qëndrimit janë për arsye punësimi.
E ndjekur nga motivi tjetër ai i bashkimit familjar, duke përbërë 19.8% të numrit të lejeve të qëndrimit. Për qëllime humanitare përbënë 7,9 % të totalit dhe për studimi zunë 3,1 %.
Për 2025 vihet re një rritje e lartë e aplikimeve të reja nga shtetasit nga India dhe Filipinet. Në total numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri, në vitin 2025 shënoi rritje prej 43,5 %, krahasuar me vitin 2024 dhe shtetasit nga India dhe Filipine përbëjnë 26,6 % të aplikimeve.
Rritja e lejeve të qëndrimit për shtetasit nga Filipinet dhe India ndjek tendencën e kërkesës në rritje të bizneseve për punësime të këtyre shtetasve, veçanërisht në sektorët e shërbimit, akomodimit (veçanërisht si kamarier, punonjës pastrimi, etj) dhe punonjësve në shtëpi, si kujdestarë fëmijësh dhe të moshuarish.
Po ashtu në 2025-n u identifikuan 1.926 të huaj të parregullt, duke shënuar rritje, krahasuar me 1.540 persona në vitin 2024.
65,0 % e të huajve me leje qëndrimi dominohet nga meshkujt, kundrejt 35,0 % femra; • Grup-mosha më e përfaqësuar: 30 – 39 vjeç, e cila përbën 24,5 % të të huajve gjithsej;
Për 2025-n dominojnë italianët dhe shtetasit nga Kosova
Në vitin 2025, shtetet me numrin më të madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri, janë Kosova dhe Italia, të cilat zënë përkatësisht 19,5 % dhe 12,6 % të të huajve gjithsej, ndjekur nga India me 9,0 % dhe Filipinet me 7,5 %. Ndër to, rritja më e madhe e të huajve, krahasuar me vitin 2024, është regjistruar në vendet e origjinës si: Filipinet me 136,1 % dhe India me 87,6 %.
Deri në qershor 2026 numri i të huajve arriti gati 39 mijë shtetas
Monitor më herët publikoi numrin e shtetasve të huaj të pajisur me leje qëndrimi deri në fund të muajit qershor 2026.
Sipas të dhënave të marra nga Policia e Shtetit numri i tyre arriti në 38,712 leje qëndrimi të miratuara për shtetasit e huaj.
Sipas shtetësisë, numrin më të lartë të lejeve e kanë shtetasit e Kosovës me 7,302 leje duke përbërë rreth 19% të totalit të lejeve aktive të qëndrimit.
Pas tyre, numrin më të lartë e përbëjnë shtetasit nga Italia me 4,332 leje qëndrimi apo me 11% të totalit. Numri i lejeve të qëndrimit të shtetasve nga India arriti në 3,882 duke zënë 10% të totalit, nga Filipinet në 3,638 (9.3% të totalit) dhe nga Egjipti me 3,441 apo 8% të lejeve aktive. /Monitor







