LONDER, 18 mars 2013– Enver Hoxha ishte një diktator paranoik. Gjatë sundimit të tij 40-vjeçar në Shqipëri, përveç shqiptimit të dënimeve me vdekje e burgim të gjatë për këdo që vihej kundër tij, ai kishte organizuar edhe ndërtimin e më shumë se 700 mijë bunkerëve, që i bie një për katër banorë në vendin e tij. Të ndërtuara me programin “Bunkerizimi”, këto strehimore u braktisën pas përmbysjes së komunizmit. Bunkerët nuk janë shfrytëzuar asnjëherë, meqë kërcënimi ushtarak i imagjinuar i Hoxhës, nuk arriti asnjëherë dhe kohëve të fundit Shqipëria u është shmangur atyre, duke u marrë me gjëra tjera të nevojshme, siç janë rrugët dhe përmirësimi i strehimit.
Mesatarisht, në çdo kilometër katror në Shqipëri ka nga 24 bunkerë. Shumica prej këtyre kërpudhave të shëmtuara ende e dëmtojnë peizazhin sot, duke nisur nga majat e maleve e deri te plazhet e qyteteve. Shumë nga bunkerët janë zhdukur nëpër peizazhe natyrore, por disa nga ta shfrytëzohen si strehimore për kafshë ose të pastrehë, apo edhe si vend për t’iu shmangur publikut. Është raportuar se më së shpeshti ata shfrytëzohen si strehimore për të rinjtë shqiptarë të dashuruar, të cilët kërkojnë vende për privatësi. Sot, autoritetet shqiptare janë në hall se çka të bëjnë. Kupolat e përforcuara janë të vështira edhe për t’u shkatërruar, sikurse edhe për t’u rifunksionualizuar. Turistët janë të fascinuar nga bunkerët, por për vendorët ata nuk janë aspak interesantë. Përveçse shihen si shëmtira, bunkerët po ashtu paraqesin probleme të vërteta për njerëzit. Së paku pesë pushues, duke përfshirë edhe dy fëmijë dhe një grua 25- vjeçare, vitin e kaluar kanë humbur jetën në vorbullat e krijuara përreth bunkerëve, të cilët janë dëmtuar nga erozioni.
Në vitin 2009, qeveria kishte ndërmarrë një aksion kundër bunkerëve, duke i vënë në funksion tanket e vjetra për t’i shkatërruar ata. Por gjërat nuk shkuan ashtu siç u planifikuan – pas dy javësh punë, vetëm shtatë prej tyre u hoqën. Edhe banorët, shpesh kanë dështuar ta shpëtojnë vendin e tyre prej këtyre gjërave. Disa shqiptarë kanë provuar t’i zhvendosin vetë bunkerët, por përpjekjet e tyre zakonisht kanë përfunduar të kota, dhe atyre u ka mbetur të jetojnë bashkë me objektet të cilave shpesh u referohen si “kërpudha”. Disa nga banorët i kanë shndërruar bunkerët në kasolle, tualete apo edhe hotele “me zero yje” për dashnorët. Për turistët kureshtarë, disa nga bunkerët tani shërbejnë si hotele për të rinjtë. Sipas BBC-së, disa studentë sipërmarrës kanë vendosur t’i shndërrojnë bunkerët në pika unike për udhëtarët. Nëse projekti del i suksesshëm, grupi ka thënë se do të kërkojë nga 8 euro për një natë, për privilegjin e fjetjes në një bunker shqiptar.





