MILANO, 17 shkurt 2013– Një i ri me origjinë “kuqezi”, po prej tre vjetësh me nënshtetësi “trengjyrëshe”, që besohet se do të jetë dhe lider i ardhshëm në Apenine, deklaron votën pro Montit. Emanuel Alijaj ka lindur 19 vjet më parë në Shkodër, Shqipëri. Që nga viti 2010 ka marrë nënshtetësinë italiane dhe në zgjedhjet e para ku merr pjesë, ka vendosur të votojë për politikanin pa parti, kryeministër emergjence i Italisë, Mario Montin, thotë e përditshmja italiane “Corriere della sera” e 17 shkurtit 2013, që ka intervistuar të riun me origjinë shqiptare. Alijaj ka studiuar për drejtësi në universitetin italian privat tregtar “Bocconi”, që është themeluar në Milano në vitin 1902.
Alijaj, student i “Bocconi”- do të votojë për Montin, president që nga viti 1994 i universitetit ku mësoi. “Corriere della serra”-s i pëlqen ta konsiderojë Emanuelin si përfaqësues të udhëheqësve të ardhshëm të këtij vendi: emigrant, i vendosur, me një pasion për punën dhe meritën.
Shqiptaro-italiani thotë në “Corriere della sera”: “Në muajt e parë të qeverisë Monti ka bërë “punën e pistë”, atë që asnjë qeveri nuk kishte guxuar më parë të bënte nga frika e humbjes së një numri të madh votuesish. Por ndoshta merita më e madhe ishte se Mario Monti i dha sërish kredibilitetin një vendi, me të cilin Berluskoni kishte humbur tashmë para komunitetit ndërkombëtar”. Ja pse Alijaj ka idhull kandidatin për kryeministër.
Mario Monti është ekonomist, politikan, akademik italian. Senator i përjetshëm që nga 9 nëntori 2011, si dhe në vijim që nga 16 nëntori, për herë të parë, kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Italiane. Më 21 dhjetor 2012 dha dorëheqjen si Kryeministër. Është presidenti i Universitetit “Bocconi” që nga viti 1994. Në periudhën 1995-1999 ka qenë Komisioner evropian për tregun e brendshëm, pastaj Komisioner për konkurrencë deri në vitin 2004. Si Komisioner i Konkurrencës, Monti drejtoi hetimin për disa bashkime të profilit të lartë dhe kontroverse, përfshirë: Scania AB & Volvo (1999), WorldCom & Sprint (2000), General Electric & Honeywell (2001), Schneider Electric & Legrand (2001) dhe Carnival Corporation & P&O Ferries (2002). Monti ishte gjithashtu përgjegjës për gjobën më të madhe që BE-ja ka vendosur ndonjëherë deri në atë kohë (497.000.000 euro) kundër Microsoft-it për keqpërdorim të pozitës dominuese në treg në vitin 2004.
/th. m. Agjencia e Lajmeve “Dyrrah”/





