DURRES, 30 prill 2013 – Shqiptarët në Jemen, përveçse me drejtësinë vendase, përballen dhe me indiferencën e shtetit të tyre të diktuar edhe nga situata parazgjedhore, temperaturat e larta dhe ushqimin e pakët. “Mos na braktisni! Shteti të interesohet për ne dhe fatin tonë! Këtu është një tmerr.” Marinarët shqiptarë, pjesë e ekuipazhit të anijes EOS apelojnë sërish për vëmendje. Ndjehen të braktisur plotësisht nga shteti i tyre. Ambasada shqiptare në Riad dhe i ngarkuari me punë atje, Sajmir Bala, nuk u përgjigjen më as në telefon, duke u fikur edhe të vetmen rreze drite që shihnin në rajon. Ministria e Jashtme ndërkohë e ka vendosur Jemenin në krye të listës së vendeve që shtetasit shqiptarë duhet të shmangin në këtë periudhë, duke harruar faktin se tashmë tre prej tyre ndodhen në vendin problematik.
Avokati mbrojtës u është shprehur qartë se indiferenca e shtetit shqiptar ndaj tyre ndikon negativisht në qëndrimin e autoriteteve jemenite. Gjatë një kontakti telefonik me oficerin e parë Mihail Cangonji, mësohet se ai dhe kryemekaniku Nezir Shahaj kanë lënë qelitë e burgut për të qëndruar në anije. Në burg aktualisht ndodhet vetëm kapiteni i anijes Ari Bakillari.
Bashkë me dy marinarët shqiptarë në anije qëndrojnë dhe marinarët indianë. Temperaturat e larta në Mukalla të Jemenit kanë mbërritur deri në 41 gradë Celsius, ndërkohë që në anije ndodhet ende ngarkesa e rrezikshme me municione luftarake. Autoritetet vendase duke dashur të shmangin ndonjë shpërthim të mundshëm dhe shmangur kostot e tepërta që do t’u sillte ruajtja e anijes greke, si dhe ndërhyrja në rast incidenti kanë lejuar dy nga marinarët shqiptarë të qëndrojnë në anije.
Ngarkesa kërkon kujdes e mirëmbajtje, ashtu si dhe anija, pronë e kompanisë greke “EOS Navigation SA” dhe nën administrimin e kompanisë “Coasters Maritime SA”. Përkatësisht me pozicione të rëndësishme në ekuipazh, shqiptarët Bakillari, Cangonji dhe Shahaj u dënuam përkatësisht me 6 vjet burg secili nga Gjykata Penale e Faktit. Vendimi i ankimuar po shqyrtohet në Apel me një ritëm që lë shumë për të dëshiruar. Pas seancave të para, gjyqi është shtyrë për në datën 7 maj, kur pritet të marrin pjesë dhe përfaqësues të kompanisë menaxhuese.
Ndërkohë anija dhe marinarët e saj janë nën vëzhgim 24 orë nga shërbimet e marinës luftarake. Që nga dhjetori i vitit të kaluar, marinarët shqiptarë ndodhen të izoluar në Mukalla të Jemenit. Ata apelojnë dhe besojnë ende në ndërhyrjen diplomatike të shtetit të tyre, ndërsa të ndodhur mijëra kilometra larg, në vështirësi, as nuk mund ta mendojnë që politika dhe fushata elektorale që ka mbërthyer vendin e ka zbehur dhe veprimtarinë e përfaqësive diplomatike. Vazhdojnë të kërkojnë ndërhyrjen e shtetit ku konfliktet e brendshme e bëjnë Jemenin një vend problematik përsa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe procedurave ligjore. Përpos situatës së vështirë në përballje me drejtësinë e këtij vendi, për një ngarkesë të ligjshme që ata thjesht po e transportonin, shqiptarët kanë nisur të përballen me temperaturat shumë të larta dhe ushqimin e pakët.
Udhëtimi i ndërprerë
“EOS” u ndalua nga autoritetet e Jemenit dhjetorin e kaluar, ndërsa kishte si destinacion portin Um-Kasr (Umm Qasr) në Irak ku do të shkarkonte ngarkesën me 179 ton armatim. Më 16 dhjetor, për shkak të një defekti anija kërkoi futjen për riparim dhe furnizim me karburant në portin Mukalla. Tre ditë më pas autoritetet ndërhynë duke sekuestruar ngarkesën dhe ndaluar ekuipazhin e përbërë nga tre shqiptarë, dy indianë dhe një shtetas grek. EOS u ngarkua në Tivar të Malit të Zi me armatim e municione për llogari të një kompanie serbe me destinacion Irakun. Nga Greqia, vendi ku drejtimin e anijes e mori kapiteni Ari Bakillari, anija ka bërë disa ndalesa përfshirë dhe Somalinë, vendin me veprimtari të lartë të piraterisë detare. Itinerari u ndërpre në Jemen, ndërsa lëvizjet e anijes u bënë pjesë e një hetimi të strukturave të Kombeve të Bashkuara.
/v.q. Agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





