Një shofer shqiptar ka çuditur policinë italiane, pasi ka ecur për një distancë prej rreth 10 km në drejtim të gabuar.

Policia e Napolit mori një raportim në orën 5 të mëngjesit të ditës së hënë se një automjet po udhëtonte në autostradë në drejtim të kundërt.

29-vjeçari shqiptar M.A., që drejtonte një Audi A6, u arrestua në autostradën Romë-Napoli, ku po ecte në korsinë që të çon në Romë, por ai po ecte në drejtim të Napolit.

Karabinierët prangosën shqiptarin, i cili nuk shkaktoi ndonjë aksident të rëndë, por u përplas kokë më kokë me një makinë tjetër që po i vinte përballë.

Hetuesit zbuluan se ndaj tij kishte një urdhër dëbimi për në Shqipëri. Ndërsa nga testi i alkoolit rezultoi se kishte konsumuar alkool tri herë mbi nivelin e lejuar.

Tashmë ndaj tij do të rëndojnë akuzat e drejtimit të automjetit në gjendje të dehur si dhe largimi nga vendi i aksidentit.