Shtatë deputetë të Partisë Socialiste, kanë përfituar të ardhura nga një vendim gjyqësor ku ata kanë paditur institucionin e Kuvendit për ndalesa nga paga gjatë ushtrimit të detyrës së deputetit, mandati i mëparshëm përpara vitit 2013.

Ata janë Arta Dade, Gramoz Ruçi, Besnik Baraj, Eduard Shalsi, Fatmir Xhafaj dhe Erjon Braçe. Këtë vendim e kanë fituar edhe të tjerë deputetë socialistë, të cilët kanë preferuar ta deklarojnë së bashku me pagën.

Deputetja Arta Dade ka fituar për 2015-n rreth 1.513.221 lekë, si të ardhura nga vendimi gjyqësor në favor të kthimit të ndalesave të pagës për vitet 2009-2010. Edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, po ashtu si të ardhura nga vendimi gjyqësor i datës 25.06.2015 ka marrë 1.489.308 lekë.

Deputeti Besnik Baraj, si të ardhura nga procesi gjyqësor lidhur me mospagesën gjatë mandatit të mëparshëm, ka marrë 1.388.909 lekë. E po kështu vijon lista me 7 deputetë, të cilët për vitin 2015 i kanë marrë Kuvendit 8.880.858 lekë.