Gjirokastra, qyteti mbresëlënës në jug të Shqipërisë, është vendi ku faqeputhjet mes historisë, traditës, kulturës dhe natyrës nuk njohin limite. Të zgjedhësh të vizitosh këtë qytet do të thotë që t’i ofrosh vetes kënaqësinë të kapërcesh përtej të zakonshmes, e të futesh në një botë që stimulon anën shpirtërore të gjithësecilit. Kështu kupton më mirë arsyen që prej këtu lindën dhe morën zë disa prej emrave më të shquara të letërsisë shqipe si Ismail Kadare dhe Eqerem Çabej. Magjia e qytetit të gurtë është dëshmi e pakontestueshme se përse Gjirokastra është një muzë frymëzimi për cilindo që zgjedh ta vizitojë.

Ato çka e bëjnë Gjirokastrën të njohur edhe përtej kufijve shqiptare janë vlerat arkitekturore të ndërtimit të shtëpive karakteristike, çatitë e gurta dhe kalldrëmet madhështorë që këtu mund t’i gjesh të kompozuar kaq bukur! Krahas gjithë kësaj vlere arkitektonike, ajo që ia shton madhështinë “qytetit të gurtë” janë zonat historike, si pazari unikal i këtij qyteti apo Kalaja e famshme ku përveç se mund te vizitoni "Muzeun e Armeve" do mund edhe t’u ofrohet një pamje spektakolare nga lart e gjithë qytetit që duket si të ishte ndonjë pikturë magjepsëse mbi telajo. Stacionet që mbartin vlera të rralla historike dhe kulturore në këtë qytet nuk kanë të sosur, këtu mund të vizitosh muzeun etnografik, banesat karateristike të Zekatëve, Kadarejve apo Çabejve. Të gjitha këto vlera dhe potenciale kulturore dhe historike që mbart qyteti I bukur I Gjirokastrës, bënë që në vitin 2005 ky qytet të përfshihet në  Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si një nga pak shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit otoman. Qyteti i sotëm i Gjirokastrës përfshin Qytetin e Vjetër,  kalanë, e cila është bërthama e parë e vendbanimit dhe lagjet e stilit osman, ndërtuar mbi kreshta, që vijnë duke u larguar nga kalaja deri në tabanin e luginës, ku tashmë ndodhen ndërtimet bashkëkohore dhe kompleksi universitar. Lagjet tradicionale shtrihen në formë rrezesh rreth kalasë. Është kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës Znj. Zamira Rami ajo që na shoqëron dhe na tregon për vlerat e qytetit që ka rrugëtuar përgjatë rrugëve të historisë pa e humbur aspak madhështinë. Krenare për vlerat e pakontestueshme të Gjirokastrës.

Si për ta kompletuar pazëllin e historisë së qytetit të gurtë një kalim në të ashtuquajturën “Qafa e Pazarit” është I paevitueshëm. Nëse nuk ndalemi në këtë pjesë interesante të qytetit të Gjirokastrës, atëherë udhëtimi ynë këtu do të quhej i cunguar, pasi kjo është një rrugë emblemë dhe tejet karakteristike. Këtu, Znj. Rami si kryetare e bashkisë së qytetit magjepsës na jep dhe një lajm të mirë për të ardhmen e kësaj zone të bukur.

Gjirokastra pas viteve ’90 ka marrë një zhvillim të madh, e kështu rrjedhimisht edhe numri I turistëve shtohet nga viti në vit.  Shumë te huaj e vizitojnë qytetin e gurtë që të fton te zbulosh vlerat arkitektonike, historike dhe kulturore. Prandaj nëse zgjidhni ta vizitoni këtë qytet dhe t’i lejoni vetes të hidheni në krahët e historisë dhe traditës, pa diskutim që do të gjeni edhe akomodim te rehatshëm për sa I përket qëndrimit për disa ditë këtu. Ka shumë hotele private të cilat janë ngritur mbi shtëpi të vjetra karakteristike. Te kthesh pushimin ne  një muzë frymëzimi dhe të shijosh kulinarinë karakteristike që gjendet ne Gjirokastër, duket disi surreale, por jo… Këtu në Hotel Kodra për një çast mendon se po udhëton në të shkuarën, pasi tradita dhe historia këtu bashkëjetojnë në harmoni të plotë ashtu siç ndodh në çdo skaj të Gjirokastrës magjike. Znj. Rami, me dashamirësinë dhe përkujdesjen e saj është fanatike të tregojë deri në detaj për çdo vlerë që mbart mbi supe Gjirokastra dhe gjirokastritët. E si një zonjë shtëpie gjirokastrite plot pasion dhe dashuri për kulinarinë karakteristike të zonës, Znj. Rami na tregon secilën prej pjatave tipike të zonës së Gjirokastrës.

Shtëpia e Kadaresë

Gjirokastra përpos vlerave të jashtëzakonshme historike dhe kulturore, është pazgjidhshmërisht e lidhur me gjeniun letrar, Ismail Kadarenë, që e ka bërë letërsinë shqipe të flasë në 45 gjuhë të botës duke e prezantuar denjësisht Shqipërinë me historinë dhe kulturën e saj ndërshekullore. Rrugëtimin e tij në krijimtarinë letrare e nisi që në vitet e gjimnazit  me “Frymëzimet djaloshare”, për të vijuar më tej me vepra të tjera deri sa solli veprën e tij të parë të rëndësishme “Qyteti pa reklama” I cili nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kështjella” “ Kronikë në gur”  “Ura me tri harqe”  “Pallati i ëndrrave”, “Prilli I Thyer” kanë lënë gjurmë në letërsinë botërore bashkëkohore.  Kështu, Gjirokastra është e përkëdhelura e fatit që ka lindur dhe rritur gjeniun që lartësoi me veprën e tij letërsinë shqipe duke e skalitur atë në historinë e letërsisë bashkëkohore.  Si i tillë viti 2016 është shpallur zyrtarisht “Viti i shkrimtarit Ismail Kadare” duke qenë se përkon 80-vjetorin e lindjes së shkrimtarit. Në këtë kontekst, në ditën e lindjes së shkrimtarit u hapën dhe dyert shtëpisë ku Kadareja u lind dhe u rrit, tashmë e restauruar dhe e kthyer në një monument kulture të kategorisë së parë. Të gjendesh para shtëpisë së shkrimtarit që e ka përjetësuar Gjirokastrën nëpërmjet veprës së tij, është një emocion që zor se mund të përkthehet në fjalë, një ndjesi e jashtëzakonshme që të përshkon në çdo qelizë, ndërsa nëpër mend kalon nëpër subjektin e romanit “Kronikë në gur” kur çdo përjetim nëpërmjet vargut të tij ka marrë jetë nga kjo shtëpi. Është Z. Agron Doraci, arkitekti që është marrë me zbatimin dhe restaurimin e shtëpisë së Kadaresë. Përpos profesionalizmit, angazhimin e tij në këtë sipërmarrje e bën më të veçantë fakti, se ai është mik I hershëm I shkrimtarit.

Pasi hedh hapin e parë në shtëpinë e shkrimtarit tone te famshëm, të mbushur me emocion, futemi në pjesën që quhet nëndivani, aty ku hapësira të lejon të shohësh shumë objekte njëkohësisht, një pus që gjendet përballë portës dhe dyert e ambienteve të tjera që të ftojnë t’I hapësh, për të parë se çfarë ndodh më tej.  Në këtë mjedis thuajse çdo mur është i ndërtuar me gur.

Arkitekti Agron Doraci ka menduar që çdo njeri që viziton shtëpinë e shkrimtarit Kadare të njihet dhe me mënyrën e ndërtimit të shtëpive tipike gjirokastrite të kohës. Ato që sot konsiderohen unikale dhe e bëjnë këtë qytet magjepsës!

Lajtmotivi i elementëve përbërës të banesës së Kadaresë janë guri dhe druri. Ndërkohë që në katin e poshtëm mbizotërojnë platformat me gurë, në katin e sipërm kryeson druri ku çdo element I punuar me të është I zbukuruar  pa ja humbur autenticitetin banesës tipike gjirokastrite.

Odat e miqve gjenden në pjesën ballore të banesës, kanë një hapësirë më të madhe dhe përkujdesje më të veçantë sa i përket zbukurimit dhe ornamenteve të gdhendura në dru. Dy mjediset e tjera të banimit te cilat janë të vendosura në pjesën e prapme, quhen dhoma dimërore dhe kanë me pak ndriçim natyral. Ajo që  spikat në secilën prej odave të shtëpisë së Kadaresë, është se në çdo ambient ka një oxhak, karakteristike kjo e shtëpive tipike gjirokastrite të këtyre përmasave.

Një aspekt interesant i shtëpisë së Kadaresë është integrimi I ambienteve të brendshme me ato të jashtme. Pjesa e çardakut siç e quajnë në Gjirokastër  është transparente dhe jo rastësisht e tillë, pasi në periudhën e verës nëpërmjet një shkalle mund të dalësh në oborrin e shtëpisë.

Një udhëtim në shtëpinë e shkrimtarit Ismail Kadare të bën të udhëtosh nëpër subjektet e romaneve ku ai përjetësoi ambientet dhe vlerat e pakontestueshme të shtëpive karakteristike të Gjirokastrës. Një banesë e tillë është një vlerë e veçantë e trashëgimisë tonë kulturore, në fushën e arkitekturës. Formulimi arkitektonik, volumi I ndërtimit dhe pozicioni i saj, krijojnë vlera të veçanta estetike të peizazhit të Gjirokastrës. Banesa e Kadaresë, pak me tej ajo e Zekatëve ,… banesa e Skëndulatëve, shtëpia e diktatorit Enver Hoxha, tashme e kthyer ne muze… Atraksione te panumërta dhe vlera të paçmuara kulturore dhe historike, te gjitha qe përmblidhen nën një emër- Gjirokastër!

Emisioni "Jo vetë modë" nga Floriana Garo