Nga Mentor Kikia

Shteti ka ngritur një strukturë që quhet Agjencia e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) që ka për detyrë të monitorojë edhe biznesin e sigurimeve. Me rritjen e beftë të çmimit nga oligopoli i sigurimeve, prej 28 %, AMF, të vetmin reagim që ka bërë, ishte ai për justifikimin e rritjes së çmimit. Ja çfarë thotë ky ent shtetëror: “Rritja e çmimit të sigurimit të automjeteve erdhi për shkak të rritjes së taksës së primit të shkruar bruto 7%, dhe pjesa tjetër për efekt të ndryshimit në primin e riskut, shpenzimet për dëmet dhe shpenzimet administrative të operatorëve”.

99.99% e shqiptarëve padyshim që nuk kuptojnë gjë nga ky shpjegim. Por ne dimë ama, se për faj të shtetit apo për interesa të pastra të kompanive private, ne duhet të paguajmë sot 28% më shtrenjtë sigurimin e makinave. 
Në çdo rast, edhe nëse rriten kostot realisht, kompanitë nuk pranojnë t’u ulet fitimi asnjëherë, por menjëherë ia ngulin thikën popullit, apo jo?
Dhe të mendosh pastaj se çfarë ndodh me zhdëmtimin. Të marrësh dëmin e makinës pas aksidentit është njësoj si të marrësh leje ndërtimi. Kompanitë kanë ndërtuar një rrjetë merimange procedurash, sa shumica e klientëve vendosin ta riparojnë makinën me paratë e tyre, edhe kur kanë të drejtë. Klientët humbasin shumicën e gjyqeve ndaj kompanive, sepse ato janë të afta t’i blejnë gjykatësit, të cilat janë gjithashtu të gatshëm për t’u shitur.
Unë personalisht, në rastin e parë që më duhej të dëmshpërblehesha, me riparimin e makinës pas një aksidenti, humba plot dy muaj (dhe me të njohur) dhe kur mora makinën pashë se i kishin vënë pjesë këmbimi të kalbura, të marra nëpër makina të mbetura prej vitesh në varreza. Ndaj dhe shumica e aksidenteve zgjidhen mes palëve me para në dorë. 
Ky biznes ka marrë natyrën e një organizate që zhvat popullin me ndihmën e shtetit dhe i rrit çmimet sa herë mendon që duhet të rrisë fitimet dhe shteti nuk bën asgjë, por i harton strategjinë e mashtrimit (një nga zyrtarët e AMF-së ka qenë hartuesi i strategjisë edhe kësaj radhe), dhe e mbron zyrtarisht.

 

Ky është një biznes ku nuk investohet asgjë, ku nuk ka ethe konkurrence, por vetëm u merren para njerëzve me dhunën e ligjit e të shtetit.
Dhe një pyetje të fundit për AMF-në, qeverinë, parlamentin, Komisionin e Ekonomisë, dhe dreqin vetë: Përse janë lejuar kompanitë e sigurimeve të unifikojnë çmimin? Ku është konkurrenca këtu? Po sikur te unifikojnë çmimet të gjith prodhuesit e sallameve, ushqimeve, veshjeve,…. dhe t’i rrisin kur t’u teket?