19 nëntor 2015 – Shqipëria renditet e fundit në rajon sa i takon hartimit të Planit të Territorit, ndonëse detyrimi ligjor për këtë plan është pacaktuar që në vitin 2009 pas miratimit të ligjit “Për Planifikimin e Territorit”. Nisur nga kjo situatë, Ministria e Zhvillimit Urban ka hartuar strategjinë e zhvillimit të territorit, e cila paracakton mënyrën se si do të zhvillohet vendi gjatë 15 viteve të ardhshme. Nëpërmjet 3 planeve (Plani i Përgjithshëm Kombëtar, Plani i Bregdetit dhe Plani për zonën ekonomike Tiranë-Durrës), synohet lidhja e Tiranës me Durrësin, e cila do të marrë emrin Durana si dhe projektohen një sërë rregullash e zhvillimesh ekonomike. Tri planet, synojnë t’i japin fund kaosit të krijuar nga ndërtimet pa leje pas viteve ’90 dhe të krijojnë një mjedis të qëndrueshëm ekonomik e social të territorit me leje ndërtimore të kontrolluara. Strategjia që do të ndiqet për zhvillimin e territorit do të zhvillohet në etapa të ndryshme kohore, nëpërmjet të cilave do përcaktohet hierarkia e qendrave urbane.
Si shndërrohen qytetet
Duke iu referuar Planit të Përgjithshëm Kombëtar, në zhvillimin e qendrave urbane, Tirana do të shndërrohet në metropol, ndërsa Shkodra, Kukësi, Lezha, Durrësi, Elbasani, Berati, Fieri, Vlora, Korça dhe Saranda do të kthehen në qendra urbane me rëndësi kombëtare ose ndryshe, kryeqendra. Më tej, sistemi do të përfshijë si qendra rajonale të ndërmjetme njësitë administrative; Tropojë, Peshkopi, Pogradec, Himarë, Gjirokastër dhe Sarandë. Pas tyre janë 14 njësi që do të funksionojnë si qendra me funksione komplementare, që do të pasohen nga njësitë më të vogla (qendrat lokale).
Transporti ajror
Në kuadrin zhvillimor të transportit dhe ekonomisë, dokumenti synon ngritjen e sistemit të transportit me avionë, jo vetëm nga aeroporti “Nënë Tereza”, por edhe nga 5 pista të tjera që do të ngrihen në Kukës, Shkodër, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër. Nëpërmjet tyre, parashikohet ngritja e korridoreve të transportit me një sërë qytetesh evropiane, si Roma, Madridi, Berlini, Sofja, Bukureshti, Stambolli e Athina.
Plani i Bregdetit
Dokumenti përcakton se, në zonat bregdetare, nuk duhet të lejohen ndërtime permanente në një distancë 200 metra nga bregdeti. “Nuk lejohet të ndërtohet nën kuotën plus 60 metra mbi nivelin e detit në bregdetin e Jugut. Ulja e lartësisë së ndërtimit duhet të shoqërohet edhe me kufizime të tjera për të frenuar shpërhapjen urbane ose ekspansionin horizontal. Bashkitë duhet të sigurojnë guida dhe rregullime për llojet e ndërtimit të njësive të banimit. Për qendrat urbane ku karakteri i zhvillimit është urban dhe jo turistik, parametrat e zhvillimit duhet të arrijnë deri në nivelin 5 kate. Në zonat lokale në fashën e dytë dhe të tretë duhet të respektohen parametrat e zhvillimit të lokalitetit ekzistues, ndërsa zhvillimi për zonat urbane të fashës së dytë dhe të tretë i lihet në studim planit të përgjithshëm vendor”, janë disa nga pikat e planit.
Ndërkohë, industria e Turizmit parashikon të zgjerohet, për gjithë muajt e vitit, edhe me turizëm agrar e aktivitete kulturore. Gjithashtu, përparësi do të jepet edhe për fshatrat turistike. Përgjatë bregdetit, vendi mund të zhvillojë një linjë të rëndësishme Parqesh si: Parku Rajonal i Veriut, Parku Ekonomik në qendër, Park Agrikultural qendror dhe Parku bregdetar i Jugut.
Durana
Për bashkimin e Tiranës me Durrësin, në pjesën infrastrukturore janë hartuar 3 skenarë, nisur nga zhvillimet e zonës vrullshme që ka marrë zona e ndërmjetme Tiranë-Durrës dhe ndërtimet kaotike pa vizion që kanë dëmtuar peizazhin. Sipas skenarit të parë, synohet zgjerimi i rrugës Tiranë-Ndroq-Durrës; zhvillimi i korridorit Tiranë-Vorë-Durrës si zonë ekonomike dhe plotësimi i Unazë së Madhe të Tiranës. Skenari 2 projekton zgjerimin e autostradës në të gjithë aksin Tiranë-Durrës, ndarjen e zonës ekonomike dhe shndërrimin e rrugës Tiranë-Ndroq-Durrës, në zonë rekreative (me peizazh). Po ashtu, sipas këtij skenari, do të plotësohet Unaza e Madhe Lindore e Tiranës. Skenari 3 zgjeron pjesërisht autostradën Kashar-Unazë Durrës, rrugën e vjetër Fushë Krujë-Vorë dhe plotëson Unazën e Madhe Lindore të Tiranës.
Planet vendore
Sot, territori që administrohet nga 61 bashkitë e reja, në sajë të reformës administrative territoriale, e cila është konsideruar si reformë gjithëpërfshirëse, ku ndërthuren qendrat urbane me ato rurale. Planet kombëtare do të japin piketat e zhvillimit dhe vizionit, ndërkohë që planet e përgjithshme vendore të këtyre bashkive të reja do të jenë pjesa tjetër më e rëndësishme. Në këtë mënyrë, të dyja do të japin strategjinë e një zhvillimi të mirëintegruar në Shqipëri. Gjatë këtij viti, qeveria ngriti asistencë financiare për 26 bashki përkatësisht, Lezhë, Kurbin, Krujë, Kukës, Dibër, Durrës, Vorë, Shijak, Kavajë, Rrogozhinë, Divjakë, Ura Vajgurore, Poliçan, Skrapar, Gjirokastër, Vlorë, Himarë, Sarandë, Konispol, Librazhd, Përrenjas, Cërrik, Pogradec, Korçë,Tiranë dhe Shkodër. Ndërkohë, brenda vitit 2016 do të ketë 31 bashki me plane vendore të hartuara dhe miratuara.
Ndërtimet, kur zhbllokohen lejet
Lejet e ndërtimit për bashkitë që nuk kanë plan vendor do të mbahen të bllokuara, sipas ndryshimeve ligjore të qeverisë për pezullimin 1-vjeçar. Këtë lajm e bëri të ditur, dje nga komisioni i Veprimtarisë Prodhuese, ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, duke pranuar kostot e këtij vendimi. Këto bllokime kanë qenë faktor kryesor, që e kanë përkeqësuar me 35 vende klimën e biznesit në Shqipëri. Sipas ministres, kjo është një kosto që po paguhet për kaosin e ndërtimeve informale të ngritura në këto 25 vite. Deputeti i Partisë Demokratike, Elidon Bushati hodhi akuza se po favorizohen me leje ndërtimi klientë të qeverisë, ndërkohë, që ministrja u përgjigj, se ky është një detyrim ligjor që nuk lejon asnjë institucion të japë leje ndërtimi, pa pasur të miratuar planin territorial.
“Deri në momentin që të hartohen Plani Kombëtar i Territorit apo Planet e përgjithshme vendore lejet e ndërtimit pezullohen. Gjithsesi theksoj se për objekte infrastrukturore, për objekte strategjike asnjëherë nuk ka pasur pezullimin lejesh, por janë dhënë nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Ishim të ndërgjegjshëm që raporti i “Doing Business” mund të na disfavorizonte për këtë çështje. Është kostoja që na po paguajmë për të gjitha gabimet që ne kemi bërë në kurriz të territorit në këto 25 vite”, tha Gjermeni, duke përmendur edhe 14 bashkitë, në të cilat lejohet dhënia e lejeve në territore të kufizuara. “Është një letër që u kam nisur drejtuesve të njësive vendore një muaj më parë, që duhet të pranojnë për shqyrtim dhe miratim të gjitha kërkesat për leje ndërtimi, në përputhje me planin e miratuar dhe dispozitat ligjore në fuqi. Bëhet fjalë për bashkitë Shkodër, Tiranë, Durrës, Himarë, Lushnjë, Berat, Kamëz, Fier, Vorë, Mamurras, Rrogozhinë, Fushë-Krujë, Bulqizë, Korçë. Sipas udhëzimit, për të gjitha zonat e territoret e bashkive të tjera duhet të merren në shqyrtim vetëm kërkesat për leje për infrastrukturë, struktura publike etj.”,tha Gjermeni.
Marrë nga "Shekulli"
/portali DurresLajm/





