Prej më shumë se një viti është bërë e mundur që në impiantin e trajtimit të ujërave të ndotura të vijnë edhe ujërat e zeza të zonës bregdetare, nga përroi i Agait te shkëmbi i Kavajës dhe në vazhdim deri tek Ura e Dajlanit në Durrës. Kolektori kryesor i ujërave të zeza që është ndërtuar përgjatë kësaj zone funksionon normalisht dhe mund të themi pa frikë se bregdeti është më i pastër, ndonëse mbetet ende punë për të bërë në lidhje me kanalet sekondare dhe terciale të zonës së plazhit. Ajo që është e rëndësishme, është se tashmë nuk ka më shkarkim të ujërave të zeza në rrugë apo blloqe banimi, pasi ato mbërrijnë te ky impiant me anë të 13 stacioneve të pompimit që gjendet përgjatë gjithë kolektorit kryesor.

Impianti i ujërave të zeza funksionon prej afro dy vitesh dhe ky është një investim mjaft i rëndësishëm i realizuar me fonde të Bankës Botërore. Mund të themi me bindje se ky impiant me vlerë 11 milionë euro, është jo vetëm më i miri që është ndërtuar në vendin tonë, por edhe ndër më të mirët në Ballkan. Aktualisht në këtë impiant trajtohet një sasi prej 24-25 mijë metra kub ujëra të ndotura duke bërë që çdo gjë të funksionojë normalisht. Mënyra e funksionimit të tij është me anë të trajtimit të llumit aktiv duke reduktuar azotin dhe fosforin, ndërkohë që ka një trajtim kimik dhe biologjik. Në këtë impiant janë trashuesit e llumit, basenet e oksidimit, tretësit anarobik, sedimentimi, zona e uetlandit dhe në fund biotrajtimi, në mënyrë që ujërat të dalin tërësisht të pastra duke qenë një garanci e madhe për bregdetin tonë. Në sajë të procesit biologjik arrihet të prodhohet biogazi, i cili përdoret për nevoja të vetë impiantit.

Në impiant punon një staf i kualifikuar inxhinierësh dhe specialistësh. Këtu kryhen rregullisht analizat laboratorike duke monitoruar cilësinë e ujit në hyrje dhe në dalje. Nisur nga rezultatet dhe duke pasur parasysh standardet e Komunitetit Evropian impianti i trajtimit të ujërave të ndotura në Shënavlash i plotëson me shumë seriozitet këto standarde dhe stafi kujdeset që të mbetet mbi këtë standard. Monitorim të rregullt specialistët kryejnë dhe në stacionet e pompimit, ku sipas një grafiku të caktuar mblidhet informacioni i tërë parametrave të ujit të ndotur në këto stacione pompimi. Ky impiant është parashikuar t’i shërbejë një popullate prej 250 mijë banorësh, ndërkohë që është lënë mundësia e zgjerimit të tij në perspektivë, në përputhje me zhvillimet urbane të Durrësit dhe zonave përreth tij.