Nga Mero Baze
Autoriteti Shtetëror i Rrugëve ka bërë një listë urash që rrezikohen nga amortizimi, pas alarmit që ka kapur gjithë Europën me katastrofën e urës “Morandi” në Xhenova. Mes tyre hyjnë dhe dy urat historike, ajo e Leklit dhe e Dragotit, ndërtuar nga një shoqëri xhenoveze në vitin 1936.
Pa dashur të bëhem i bezdisshëm në këtë temë, duhet të ndajmë dy rreziqe që na sjell shembja e këtyre urave.
E para, është katastrofa njerëzore që mund të shkaktojnë. Mundet që në urë të ketë ngarkesë kamionash, apo të bëhet shkak një dalje e rrëmbyer e lumit dhe ura të shkatërrohet.
Por këto dy ura kanë dhe një problem që nuk e ka asnjë urë në Shqipëri në këtë përmasë. Shembja e mundshme e urës së Dragotit, bllokon pa asnjë alternativë komunikimin me Përmetin dhe Këlcyrën.
Për këtë, duhet vendosur prioritet real për t’i dalë të keqes përpara.
Dhe këtu ka një shans me baypassin e ri të Tepelenës, i cili ka nisur. Ai është një projekt luksoz për Tepelenën, që rrit shpejtësinë e kalimit në unazën e qytetit. Brenda projektit është dhe përforcimi i këmbëve të pasarelës historike të Ali Pashë Tepelenës, që është përfund kalasë.
Qysh në fazën e parë të punimeve, siç ndodh rëndom me projektet shqiptare, është hasur problem i studimit të gabuar gjeologjik dhe shtresa e shkëmbit është dhe tetë metra më poshtë nga kuota ku pritej të kapej. Kjo do të sjellë një riformulim të projektit, një shtesë fondesh dhe histori të tjera rrugësh shqiptare.
Po ashtu, akoma nuk ka një zgjidhje përfundimtare për devijimin e trafikut, i cili rrezikon të kalojë sërish përmes qytetit për dy vjet, duke krijuar një “ferr” të ri në udhëtimin drejt jugut.
Me këtë rast, pa anuluar projektin e baypass, është mirë t’i jepet prioritet fillimisht ndërtimit të urës së re mbi Vjosë, në krah të pasarelës historike që shërben për këmbësorë dhe të zgjerohet rruga 4 km për në Dragot, duke shmangur trafikun e Përmetit në një urë të sigurtë dhe duke shkurtuar rreth 11 km rrugë. Ura ka pas ekzistuar, ndërtuar nga Italia në Luftën e Parë Botërore si urë e përkoshme (foto).
Kështu shpëtohet ura e Dragotit dhe përgjysmohet trafiku që do të kalonte në baypass e Tepelenës, dhe më pas vazhdohet me qetësi në zgjidhjen e re gjeologjike që duhet t’i jepet projektit të baypass, si dhe zgjidhjes së devijimit të trafikut. Edhë kështu, baypassi nuk është aq emergjent sa ura e Dragotit dhe bllokimi i mundshëm i qarkullimit për në Përmet.
Ndërtimi i urës ul ngarkesën e trafikut që ka sot unaza e Tepelenës, shkurton 11 km rrugën për në Përmet, dhe rrit në mënyrë absolute sigurinë e kalimtarëve, duke shmangur dy urat e rrezikuara, atë të Dragotit dhe Leklit, të cilat mund të shërbejnë për vetura të vogla dhe të mirëmbahen si pasuri historike.
Në rast se punimet e baypass Tepelenës do hyjnë në spiralen e riprojektimit dhe shtesës së fondeve, do të ishte më mirë ndryshimi i prioriteteve, duke i dhënë hapësirë ndërtimit të një ure të re, që kushton disa herë më pak se baypassi dhe shmangia e një katastrofe të mundshme.
Më poshtë po e ilustroj me tri foto vendin ku duhet bërë, ura e cila ka qenë ndërtuar dikur, rrugën që shkurton dhe shmangien e rrezikut nga ura e Dragotit.
Ura poshtë Kalasë së Tepelenës që shkurton rrugën për Përmet 11 km.
Harta tregon rrugën e shkurtuar 4 km dhe rrugën 15 km që duhet bërë aktualisht duke përdorur Urën e Dragotit që ështëe rrezikuar
Në të njëjtin vend Ura e ndërtuar nga Italia gjatë Luftës së Parë Botërore ku kamionët kalonin mbi urën me fuçi.
Ura e Dragotit ku duhet shmangur trafiku
/Gazeta Tema/