Një filial i OTP bank pranë stadiumit ‘Selman Stërmasi’ në Tiranë është grabitur mesditën e kësaj të marte nga një person ende i paidentifikuar.

Autori, i veshur me të zeza dhe i maskuar hyri në bankë dhe nën kërcënimin e një arme, ai i është afruar një qytetareje që kishte me vete rreth 15 milionë lekë të vjetër në një çantë të cilat sapo po i depozitonte në bankë dhe ia ka marrë.

Më pas, është larguar me një skuter elektrik (monopatinë), të cilin e kishte lënë jashtë bankës. Grupi hetimor ka dyshime se autori e ka ndjekur gruan çaste më parë deri në momentin e hyrjes në bankë.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, ka rezultuar se autori është afruar pranë bankës me një skuter elektrik nga kryqëzimi i Komunës së Parisit, dhe e ka lënë jashtë bankës. Më pas, autori futet si klient në bankë dhe pasi mori paratë është larguar nëpërmjet rrugës Sulejman Delvina, dhe dyshohet se ka braktisur skuterin në një garazh.

Më pas është larguar drejt zonës së bllokut nëpërmjet rrugicave të zonës. Grupi hetimor është duke punuar për të sqaruar rrethanat e plota, si dhe për të identifikuar autorin e grabitjes.