Kur mendimet shumohen në mendje dhe truri përpiqet të përqendrohet tek ajo më e rëndësishmja, ai aktivizon atë që shkencëtarët e quajnë ‘memorie pune’, një mekanizëm që mban të gjallë informacionin e nevojshëm për të përmbushur detyrat e momentit.

Por si matet ky proces i brendshëm?

Një studim i ri nga Universiteti i Teksasit në Arlington zbuluar se mënyra se si ndryshojnë bebëzat e syrit gjatë përqendrimit është tregues i fuqisë së kësaj ‘memorieje pune’.

Profesor Matthew Robison dhe studentja e doktoraturës Lauren D. Garner testuan 179 vullnetarë duke monitoruar me kamera madhësinë e bebëzave të tyre ndërsa ata përpiqeshin të mbanin mend ngjyra, forma apo shkronja që shfaqeshin në ekran.

Rezultatet treguan se pjesëmarrësit me performancën më të mirë kishin bebëza që zgjeroheshin më shumë dhe ishin më kërkues ndaj informacionit që duhej të ruanin në mendje.

Zgjerimi i bebëzës kontrollohet nga sistemi nervor autonom, i cili aktivizohet edhe në situata stresi, duke rritur rrahjet e zemrës.

Kjo lidhje e drejtpërdrejtë mes përqendrimit dhe reagimit fiziologjik tregon se truri kanalizon më shumë energji, oksigjen, glukozë dhe aktivitet elektrik, drejt informacionit të rëndësishëm.

Memoria punuese nuk është thjesht magazinim i kujtimeve, por një proces aktiv që bashkon ide të papërfunduara, ndihmon në kuptimin e fjalive të folura dhe në zgjidhjen e problemeve.

Aftësia e saj është e kufizuar, zakonisht vetëm tre deri shtatë elementë në të njëjtën kohë, dhe ndryshimet e vogla mund të ndikojnë në aftësitë tona në lexim, matematikë dhe vendimmarrje.

Përkundër ndikimeve të faktorëve të tillë si gjenetika, stresi apo cilësia e gjumit, studimi tregon se intensiteti i përqendrimit në moment ka një rol kyç.

Shpërqendrimet e përditshme, si zhurma e telefonit apo bisedat në sfond, mund të ulin këtë burim të çmuar energjie mendore, ndërsa ushtrime që kërkojnë fokus të qëndrueshëm, si të luash një instrument muzikor ose videolojëra me ritëm të shpejtë, ndihmojnë në rritjen e kapacitetit të kujtesës së punës.

Kështu, bebëzat e syrit tregojnë më shumë sesa thjesht humorin apo vigjilencën, ato janë pasqyrë e mënyrës se si truri përqendrohet dhe menaxhon informacionin, duke na ndihmuar të përballojmë detyrat e përditshme që bëjnë jetën të funksionojë me rregull.