Boronicën, jogurtin pa yndyrë, xhenxhefilin, spinaqin dhe pjeprin nutricionistja Joy Bauer i  ka veçuar si top pesë ilaçet natyrore që përmirësojnë kujtesën dhe parandalojnë fryrjen.

“Me mënyrën tuaj të të ushqyerit mund të përmirësoni kujtesën dhe disponimin, të lehtësoni dhimbjet, të ulni nivelin e kolesterolit, të përmirësoni kualitetin e gjumit dhe të mundni migrenën. Me ushqimin e duhur do të keni lëkurë më të shëndetshme dhe flokë të shkëlqyer dhe të fortë”,- këshillon nutricionistja Bauer, e cila para pak kohe ka publikuar edhe librin për shërimin përmes ushqimit.

Ajo ka veçuar pesë ushqime të shëndetshme të cilat janë ilaçe natyrale dhe që gjithsesi duhen të gjenden në menynë tuaj. Këto janë boronica, jogurti i payndyrshëm, xhenxhefili, spinaqi dhe pjepri.

Boronica përmirëson kujtesën, jogurti i payndyrshëm jep energji, xhenxhefili lehtëson dhimbjet, spinaqi në mënyrë efikase mund migrenën, ndërsa pjepri parandalon fryrjen sepse përmban 90 për qind ujë i cili ndikon si diuretik dhe shpëlan kripërat e tepërta nga organizmi. Pjepri është i pasur me kalium. Ai i ndihmon organizmit për të liruar natriumin e tepërt, i cili është fajtori kryesor për fryrje sepse përshpejton mbajtjen e ujit në trup. Nëse ju mundon migrena, Joy këshillon që sallatave dhe salcave t’u shtoni një gjethe spinaq, ndërsa omletit spinaq të zier ngadalë.