Nga Shefqet & Herion Kërcelli
DURRËS, 4 korrik 2015 – Populli amerikan feston Ditën e Pavarësisë më datën 4 korrik të çdo viti. Sot të gjithë amerikanët e shohin 4 korrikun e vitit 1776, këtë ditë të madhe, si dita që përfaqëson Shpalljen e Pavarësisë dhe lindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një komb i pavarur. Në fakt ka pasur mjaft ngjarje dhe një periudhe kohore prej dhjetëra vitesh deri në ligjërimin e kësaj date si dita e pavarësisë së SHBA-së. Fillimisht Kongresi Kontinental e formuloi dokumentin e pavarësisë së SHBA-së më 2 korrik 1776. Por, nuk u caktua kjo datë si dita e pavarësisë. Ndërkohë nuk u caktua as dita e fillimit të Revolucionit Amerikan, në prill të vitit 1775, si ditë e pavarësisë. As dita kur Tomas Xhefersoni (Thomas Jefferson, 1743-1826) shkroi dokumentin e parë të Shpalljes së Pavarësisë në qershor 1776. Gjithashtu as data e 2 gushtit 1776, kur dokumenti u nënshkrua nga të gjithë delegatët dhe as nëntori i 1776, kur iu kërkua Britanisë së Madhe të njohë pavarësinë e shtetit të ri.
Çfarë ndodhi në 4 korrik 1776?
Kongresi Kontinental e shpalli Aktin final të Pavarësisë më 4 korrik 1776. Delegatët e shteteve federale punuan disa ditë derisa më 2 korrik 1776, ranë dakord me të gjitha redaktimet dhe ndryshimet e draftit përfundimtar, kështu e miratuan atë përfundimisht. Vërtet 4 korriku i 1776-ës, u bë dita e shpalljes së Pavarësisë, por kopja e parë e dokumentit final e shkruar me dorë dhe e zbukuruar, u nënshkrua në gusht 1776 (kopja origjinale është e ekspozuar në Arkivat Kombëtare në Uashington, Distrikti Kolumbia). Në gusht të vitit 1776 në shtypshkronjën e Xhon Danlap-it (John Dunlap, 1747-1812), u shtypën kopje të dokumentit origjinal që u shpërndanë e qarkulluan në gjithë shtetet përbërëse të SHBA-së. Në SHBA festohet Dita e Kushtetutës, më 17 shtator të çdo viti, pra përvjetori i datës kur ky dokument themelor është nënshkruar, jo dita kur ajo është miratuar. Në qoftë se do ishte ndjekur kjo praktikë e njëjtë për Shpalljen e Pavarësisë, për analogji, i binte që Dita e Pavarësisë të festohej më 2 gusht të çdo viti, pra ditën e nënshkrimit të këtij dokumenti themelor nga gjithë delegatët e Kongresit Kontinental.
Por si u bë 4 Korriku një ditë pushimi kombëtar?
Gjatë 15-20 viteve të para mbas Shpalljes së dokumentit të shkruar, qytetarët amerikanë nuk e festonin atë në shumicën e tyre. Ishte një ditë shumë e re dhe mjaft ngjarje ndodhën më pas në kombin e ri. Vitet 1790 e më pas ishin periudhë e konflikteve e ndodhive të padëshirueshme, ndaj shpallja e kësaj dite ishte e diskutueshme. Ndërsa një parti, ajo e Demokrato-Republikanëve, admironte Xhefersonin dhe shpalljen e kësaj dite, partia tjetër, federalistët, mendonin se shpallja favorizonte ndikimin francez dhe injoronte britanikët, pra, shkonte kundër politikave aktuale të shtetit të ri. Në vitin 1817, Presidenti i dytë i SHBA-së, Xhon (John) Adams-i (1735-1826) u ankua me një letër ku thuhej se Amerika dukej e painteresuar në të shkuarën e saj. Por, shpejt kjo situatë do të ndryshonte. Pas Luftës së vitit 1812, partia Federaliste dhe partitë e reja të viteve 1820-1830 e konsideronin veten si trashëgimtare të Xhefersonit dhe Demokrato-Republikanëve. Kështu kopjet e shtypura të Shpalljes së Pavarësisë filluan të qarkullojnë përsëri, të gjitha me datën e 4 Korrikut 1776, të vendosur në krye. Vdekja e Tomas Xhefersonit dhe Xhon Adamsit më 4 korrik 1826, rizgjuan dhe nxitën idenë për të caktuar 4 korrikun si datë për të festuar shpalljen e pavarësisë.
Në vitet e mëvonshme festimet për 4 korrikun u zgjeruan në gjithë shtetet dhe përfshinë shumicën e banorëve. Kjo datë u ligjërua përfundimisht në vitin 1870, pothuajse njëqind vjet pas nënshkrimin të aktit të pavarësisë. Në këtë vit seanca e parë e Kongresit e deklaroi 4 Korrikun, si ditën e pavarësisë dhe ditë pushimi kombëtar, si pjesë e një projektligji që zyrtarisht njohu disa ditë pushimi, përfshirë dhe festën e Krishtlindjeve. Me tej legjislacioni për ditët e pushimit kombëtar, duke përfshire 4 Korrikun, u zgjerua në vitet 1939 dhe 1941. Dita e sotme, 4 korrik 2015, dita simbol e pavarësisë së SHBA, festohet nga gjithë populli amerikan bashkë me miqtë dhe aleatët e tij, ku populli shqiptar, veçanërisht shqiptaro-amerikanët zënë një vend nderi.
/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





